Pjesëtarët e një grupi të së djathtës ekstreme, të arrestuar në Gjermani gjatë javës së kaluar, po planifikonin sulme mbi xhami, politikanë dhe azilkërkues, kanë raportuar të hënën mediet lokale.
Të dymbëdhjetë të arrestuarit, që akuzohen se i takonin grupit “Der Harte Kern”, janë arrestuar të premten. Një person tjetër, që besohet të jetë pjesë e grupit, është në arrati, shkruan të hënën gazeta gjermane, “Welt am Sonntag”.
Gjermania po përballet me një fuqizim të përkrahjes për të djathtën ekstreme, posaçërisht në pjesën lindore të shtetit.
Autoritetet po tentojnë që ta shpartallojnë të djathtën ekstreme të këtij shteti që nga vrasja e politikanit Walter Luebcke, ashtu si edhe sulmin mbi një sinagogë në qytetin lindor gjerman, Halle, gjatë javës së kaluar, transmeton Koha.net.
Katër prej të arrestuarit, që të gjithë shtetas gjermanë, janë arrestuar nën dyshimin se kanë krijuar grupin “Der harte Kern”, përderisa tetë tjerët dyshohet se i kanë ofruar grupit para, armë dhe forma tjera të përkrahjes.
Ata thuhet se ishin takuar përmes “WhatsApp” dhe e kishin krijuar këtë organizatë shtatorin e kaluar.
Besohet se ata kanë lidhje me “Ushtarët e Odinit”, një grup tjetër i së djathtës ekstreme, i krijuar në Finlandë, pesë vjet më parë.
Lideri i pretenduar i këtij grupi, 53-vjeçari i njohur si Werner S., është i njohur për autoritetet dhe banon në qytetin jugor të Ausburgut, raporton rrjeti britanik, BBC.
Gjatë javës së kaluar, ai u takua me pjesëtarët tjerë të grupit dhe ata i shtjelluan planet për dhjetë sulme në Gjermani, përfshirë masakra nëpër xhami, të ngjashme me ato të ndërmarra në Zelandën e Re gjatë vitit të kaluar. Ata raportohet se shpresonin se sulmet e tyre do të nxisnin kundër-reagim, gjë që do të rezultonte me një luftë civile.
Sipas shtypit gjerman, hetuesit kanë marrë informata nga një person që ishte infiltruar brenda grupit.