Shkup, 24 tetor – Kompania “Shkupi East Gate” do të ndërtojë kompleksin e parë me destinacion miks, i cili do të përbëhet edhe nga një qendër tregtare, kompleks apartamentesh dhe park zyrash në sipërfaqe prej 155.000 m2, shkruan gazeta KOHA. Kompleksi atraktiv do të gjendet vetëm 1.5 km larg qendrës së Shkupit, në Komunën e Gazi Babës, në kryqëzimin ndërmjet dy rrugëve kryesore, përgjatë hapësirës ndërmjet bulevardit Aleksandri i Madh dhe rrugës “Bellasica”. Investimi total në periudhë prej 5-7 vjet planifikohet të jetë më tepër se 300 milionë euro, duke krijuar mijëra mundësi dhe vende të reja pune. Sipas njoftimit të Grupacionit “Balfin”, së pari do të ndërtohet qendra tregtare, ndërsa kompleksi i apartamenteve dhe parku i zyrave do të ndërtohen gjatë 5-7 viteve të ardhshme. Me “Shkupi East Gate”, Shkupi merr një imazh të ri, ndërsa për qytetarët e pjesës lindore të Shkupit krijohen kushte për një jetë më cilësore, sipas modelit të qyteteve të zhvilluara evropiane. Ky kompleks, siç thuhet në njoftimin e grupit “Balfin”, në tregun e patundshmërive do të sjellë më shumë se 250.000 m2 sipërfaqe të re bruto në ndërtim, që vlerësohet si investimi më i madh privat i këtij lloji në Maqedoni. “Planet zhvillimore përfshijnë dhe ndërtimin e qendrës më të madhe tregtare në Maqedoni, në sipërfaqe bruto për dhënie me qira prej 45.000 m2, kompleks apartamentesh dhe park zyrash. Qendra tregtare do të ketë dy nivele me rreth 2500 vend-parkime nëntokësore. Vëmendje e posaçme do ti kushtohet avancimit të eko-jetesës urbane. Plani I kompleksit parashikon çerdhe dhe zona të gjelbra sipas modelit të tendencave moderne arkitekturore”, thuhet në njoftim.
Duke e konsideruar suksesin e qendrës tregtare City Mall në Shkup, si dhe nevojën e identifikuar të shitësve me pakicë për t’u zgjeruar në Maqedoni, vazhdon më tej njoftimi, është vendosur se një qendër tjetër tregtare në Maqedoni është një mundësi investimi i realizueshëm. “Qendra tregtare “Shkupi East Gate” planifikon të ndërtojë qendrën e re tregtare në bashkëpunim me një investitor tjetër. Ndërtimi do të fillojë në vjeshtën e vitit 2018, kurse qendra tregtare pritet të hapet zyrtarisht në fund të vitit 2020. Lokacioni dhe madhësia e qendrës së re tregtare paraqesin mundësi të shkëlqyeshme për thithjen e brandeve të reja botërore në Maqedoni, përveç brandeve ekzistuese në treg. Së bashku me qendrën tregtare, planifikohet të ndërtohet edhe një hapësirë banesash me rreth 100 000 m2 bruto, e cila do të ndërtohet gjatë 5 viteve të ardhshëm”. Aksionari kryesor i “Shkupi East Gate” është Grupi “Balfin”, grupacion i cili e ndërtoi dhe qendrën tregtare “City Mall” në Shkup (37.000 m2), historikisht transaksioni më i madh kapital në tregun e patundshmërive në Maqedoni, i cili vitin e kaluar iu shit një investitori të huaj. Grupi Balfin është një ndër kompanitë më të mëdha rajonale, i pranishëm në 9-të vende të botës me investime në qendra tregtare, projekte të ndërtimit të pasurive të patundshme dhe komerciale, si dhe një sërë aktivitetesh me pakicë siç është zinxhiri i dyqaneve Neptun, Jumbo dhe shitës me pakicë të modës. (koha.mk)