Problemi me grumbullimin e duhanit pritet të zgjidhet deri në fund të muajit shkurt, kur edhe skadon afati për blerjen e tij nga ana e tregtarëve. Njëherësh, pritet që teprica e duhanit të grumbullohet nga ana e shtetit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 14 janar – Problemi me grumbullimin e duhanit pritet të zgjidhet deri në fund të muajit shkurt, kur edhe skadon afati për blerjen e tij nga ana e tregtarëve. Njëherësh, pritet që teprica e duhanit të grumbullohet nga ana e shtetit, ndërsa në rast nevoje – do të zgjatet afati për dy deri katër javë, me qëllim që të blihet i tërë duhani nga prodhuesit. Prodhuesit e duhanit duhet të paraqesin tepricën e prodhimit në njësitë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë. “Kombinati i Duhanit në Prilep do të marrë përsipër detyrimin për të blerë rreth 440 tonë duhan, të cilën njëra nga kompanitë blerëse nuk ishte në gjendje për ta blerë. Njëherësh në takimin e së mërkurës kompanitë blerëse rikonfirmuan se do të blejnë prodhimin e rënë dakord plotësisht si dhe tepricën e prodhuar të duhanit”, bëri të ditur ministri i Bujqësisë, Arjanit Hoxha. Sipas tij, pakënaqësia e prodhuesve është e pritshme për shkak se çmimet nuk janë të njëjta me ato të vitit të kaluar si rrjedhojë e kushteve klimatike apo motit jo të volitshëm. Ministri Hoxha pret që të respektohen marrëveshjet e arritura dhe të përmbyllet pozitivisht një vit i vështirë për prodhuesit e duhanit. Sipas tij, të gjitha angazhimet e palëve relevante pritet të shpëtojnë në mënyrën më të mirë të mundshme këtë gjendje që nuk shkonte në një drejtim të mirë.
Deri tani janë grumbulluar afër 40 për qind e rendimentit të vitit të kaluar, ndërsa vlerësohet se cilësia më e dobët në raport me vitet paraprake, ka sjellë edhe çmime më të ulëta me një mesatare prej 167.5 denarë për kilogram. Tani pritet që së pari të respektohen të gjitha kontratat paraprake për blerjen e duhanit, ndërsa më vonë do të përcaktohet edhe teprica e duhanit. “Në rast se kompanitë do të përshpejtojnë dinamikën e grumbullimit, do të kemi zgjidhje. Jemi pajtuar që pikat e shitblerjes të punojnë edhe pas afateve në rast nevoje. Të gjitha kompanitë theksuan se peshoret do të jenë të hapura deri në grumbullimin e të gjithë sasive të duhanit”, thotë Mende Stomnarovski, kryetar i Lidhjes së Shoqatave të Duhanit.
Nga ana tjetër, një pjesë e prodhuesve të duhanit organizuan edhe protesta para dhe pas vitit të ri, të pakënaqur me çmimin shitblerës, dinamikën e grumbullimit, anulimin e prodhimit firë, etj. Prodhimi i vitit 2019 është i vlefshëm 23 mijë tonë në raport me 26 mijë tonë të vitit 2018 që në vitin 2019 kishin një çmim mesatar prej 220 denarë apo për 50 deri 60 denarë më pak se çmimi mesatar i deritanishëm i blerjes së duhanit. Njëherësh, nga ana e Ministrisë së Bujqësisë kanë propozuar edhe anulimin e klasës së katërt të duhanit me qëllim të rritjes së çmimit shitblerës.
Njëherësh me modelin e ri të rritjes së subvencioneve, për një kilogram të duhanit të klasës së parë paguhen 80 denarë, për klasën e dytë paguhen 70 denarë, për të tretin dhe të tjerët paguhen 60 denarë për kilogram. Kohë më parë, Federata e Fermerëve të Maqedonisë ka theksuar se nga duhani e nxjerrin ekzistencën e tyre 33 mijë familje bujqësore apo 130 mijë njerëz jetojnë nga duhani. Anëtarët e Federatës së Fermerëve janë ankuar para vitit të ri se gjatë grumbullimit të duhanit ju vlerësohet vetëm klasi i tretë dhe i katërt.
“Në raport me vitin e kaluar me një çmim mesatare prej 210 denarë, sivjet për shkak të klasave të ulëta, çmimi është prej 110-deri 120 denarë, që ka ulur të ardhurat me gati 50 për qind. Andaj duhet të anulohet importi i duhanit, të anulohet klasa e katërt e duhanit dhe të bëhet vlerësimi i drejtë i cilësisë së duhanit”, kanë qenë disa nga kërkesat që datojnë para vitit të ri, të Federatës së Fermerëve. Të dhënat e Entit të Statistikës për periudhën 2010-2018, tregojnë se në këtë periudhë , prodhimi mesatar i duhanit ka qenë 24.500 tonë në vit , me një eksport në mesatare prej 25 mijë tonë. Gjithashtu, duhani merr pjesë me 5.4 për qind në totalin e tokës së mbjellë bujqësore. Për rëndësinë e prodhimit vendor të duhanit flasin edhe të dhënat e FAO, apo Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë, se ajo merr pjesë me 11 për qind në totalin e prodhimit evropian të duhanit. Gjithashtu në vitin 2015, Maqedonia ka realizuar eksport prej 96.6 milionë euro të duhanit, ndërsa në vitin 2014 janë arkëtuar 109.5 milionë euro nga shitja jashtë e duhanit. Në vitin 2018 është shënuar eksport prej afër 107 milionë dollarë i duhanit dhe prodhimeve të tij, apo më shumë se 130 milionë euro. (koha.mk)