Omer XHAFERI
Shkup, 27 gusht – Një muaj pasi Gjykata Supreme e vërtetoi vendimin e shkallës së parë dhe të dytë se Goran Grujoski dhe Nikolla Boshkovski, duhet të shkojnë në paraburgim, këta të fundit përkundër përpjekjeve të MPB-së, vazhdojnë të mbeten në arrati. Për rrjedhën e hetimeve dhe detajet e reja lidhur me dy personat më të kërkuar ndoshta për momentin në Maqedoni, gazeta KOHA kërkoi të dhëna nga Ministria e Punëve të Brendshme. Megjithatë, autoritet e policisë së shtetit asnjë të dhënë konkrete se nuk kanë për dy të arratisur. Përpos lajmit kohë më parë se arma zyrtare e ish-shefit të Drejtorisë së Pestë, Goran Grujoski, është konfiskuar, MPB vazhdon të heshtë nëse ka ndonjë pistë konkrete se ku kanë mundur të arratisen dy të akuzuarit e rastit “Target” dhe “Fortesa”, për të cilët ekziston vendim gjyqësor për paraburgim. Dështimin për kapjen dhe arrestimin e dy ish punonjësve të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, për të cilët Prokuroria Speciale Publike thotë se janë nyja kryesore për realizimin e procesit të jashtëligjshëm të përcjelljes së komunikimeve në Maqedoni, autoritet policore vazhdojnë të fajësojnë sistemin gjyqësor dhe gjykatësit, të cilët e kanë proceduar rastin në fjalë. Ministri aktual i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovki, dy ditë pasi të dyshuarit për shkatërrimin e sistemit të përgjimeve nuk u gjetën në adresat e apostrofuara në Shkup, Ohër dhe Veles, nënvizoi se reformat në gjyqësor duhet të fillojnë një çast më herët se sa është paralajmëruar. Këtë apel ai e mbështeti në ndryshimin e praktikës dhe procedurës ligjore, e cila në rastet e mëhershme ka qenë decide – kur çështja ka pasur të bëjë me masën e paraburgimit, respektivisht kur një vendim të tillë e ka vërtetuar Gjykata e Apelit. “Ky nuk është dështim i policisë, por vetëm e vërteton faktin se sa i kalbur është sistemi gjyqësor në Maqedoni. Si ne, ashtu edhe opinioni, përgjegjësinë duhet ta kërkojë nga gjykatësit. Për këtë çështje gjithashtu duhet të bartet përgjegjësi, për shkak se të akuzuarve ju dha mundësia të arratisen jashtë shtetit ose të fshihen brenda vendit. Sidoqoftë, kjo duhet të jetë një porosi e fuqishme, por edhe një mësim i qartë për reformat që pasojnë në sistemin e jurisprudencës në vendin tonë”, pati thënë Spasovski. Ndryshe, PSP-ja për lëndën gjyqësore të bashkuar “Target” dhe “Fortesa”, i akuzon 14 ish funksionarë të policisë së shtetit, në mesin e të cilëve edhe Sasho Mijallkovin, Gordana Jankullovsken dhe drejtorin aktual të organizatës së sigurisë “Selek”, Toni Jakimovski. (koha.mk)