Athinë, 18 maj – Amnistimi nga presidenti Ivanov është shkaku që Gjykata Supreme e Greqisë sot ta hedh poshtë kërkesën e Maqedonisë për ekstradim të Grujevskit dhe Boshkovskit. Ata nuk do të ekstradohen në Maqedoni, ndërsa shumë shpejt do të lëshohen në liri dhe në pritje të shqyrtohet kërkesa e tyre për marrjen e azilit në Greqi.
“Falja i mbulon veprat”, tha kryetarja e këshillit gjashtë-anëtarësh gjyqësor gjatë kumtimit të vendimit, pasë ankesës së dorëzuar për vendimin e gjykatës në Selanik, ku ishte dhënë dritë jeshile për ekstradim.
Disa minuta pas orës 13, rreth katër orë pas fillimit të seancës, në të cilën kishte edhe 22 raste tjera, Këshilli gjyqësor e kumtoi vendimin, lajmëron korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Boshkovski dhe Grujevski me gëzim e pritën gjykimin dhe vendimin e gjykatës athinase.
Avokati i tyre, Petar Vasilev, vetëm disa minuta pas kumtimit të vendimit, për MIA-n deklaroi se vendimi është objektiv dhe i bazuar në ligj.
“Vlerësojmë se vendimi është objektiv dhe i bazuar në ligj. Sot Gjykata Supreme e Republikës së Greqisë vendosi të mos i ekstradojë, të akuzuarit Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, sepse vlerëson se amnistimi, gjegjësisht falja të cilën e ka dhënë presidenti Ivanov për rastet të cilat janë ngritur kundër tyre, ka fuqi ligjore, gjegjësisht asnjëherë nuk mund të ndalohet fuqia juridike pas dhënies së amnistisë. Këtë gjykata e vendos në bazë të ligjit dhe në bazë të praktikës dhe gjykimeve të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut”, thotë Vasilev për MIA-n.
Nga Gjykata Supreme në Athinë, Grujevski dhe Boshkovski ishin kthyer përsëri në burgun e Athinës “Koridalos”, që të ruhet rendi procedural.
Sipas informacioneve të korrespondentes së MIA-s nga Athina, procesi në raste të tilla ose nga vendimi deri në lëshimin në liri zgjat një ditë. Së pari, për vendimin, prokurori i Gjykatës Supreme do ta njoftojë prokurorin e Gjykatës së Apelit, i cili pastaj do të dërgojë letër në burgun e Selanikut “Diavata” në të cilën gjendeshin Grujevski dhe Boshkovski pasi ishin arrestuar në aeroportin e Selanikut, ndërsa në Athinë janë transferuar për shkak të seancës në Gjykatën Supreme. Hapi i ardhshëm është që burgu i Selanikut ta njoftojë burgun e Athinës, e pastaj edhe sektorin për emigrantë të policisë greke. Nga sektori për emigrantë, pasi të konfirmohet statusi i tyre (në rastin konkret ata qëndrojnë në mënyrë legale në Greqi për shkak të kërkesës së parashtruar për azil), ata do të lirohen.
“Pas përfundimit të pjesës formale të procedurës, tani duhet të rregullohet pjesa e procedurës që e rregullon qëndrimin e tyre në Greqi dhe ata do të lëshohen nge burgu dhe do të vazhdojnë me procedurën për azil për marrjen e qëndrimit në Republikën e Greqisë”, thotë avokati Vasilev lidhur me hapat e ardhshëm.
Përfaqësuesi juridik i Nikolla Boshkovskit dhe Goran Grujevskit shton se tani ndërpriten të gjitha bazat e përgjegjësisë së tyre penale në Republikën e Greqisë dhe “ata janë qytetarë të lirë të cilët mund t’i realizojnë liritë dhe të drejtat e tyre qytetare në këtë vend”.
Si dhe katër seancat e kaluara në Gjykatën Supreme, ashtu edhe e sotmja, kur u kumtua vendimi, kaluan pa kurrfarë interesi nga mediat greke, ndërsa gazetari i vetëm në seancë ishte korrespondentja e MIA-s nga Athina, që ishte edhe një nga argumentet e avokatëve të Grujevskit dhe Boshkovskit të kërkojnë që dëgjimi të jetë në dyer të mbyllura.
Në Gjykatën Penale në Athinë, pas kërkesës së parashtruar për vendimin e gjykatës së Selanikut më 5 janar të këtij viti për ekstradim, u mbajtën katër seanca. E para, më 16 shkurt ishte anuluar, sepse nuk kishte përkthyes nga maqedonishtja në greqisht dhe anasjelltas, por edhe për shkak të asaj se avokatët grek nuk kishin kohë të mjaftueshme ta shqyrtojnë lëndën. E dyta, pas dy javëve, përsëri ishte anuluar, sepse mungonte një nga avokatët, ndërsa gjykimi që filloi më 9 mars, me dyer të mbyllura, ishte ndërprerë për shkak të çështjeve juridike dhe vazhdoi më 27 prill, kur edhe përfundoi dhe ishte paralajmëruar se vendimi do të kumtohet më 18 maj.
Grujevski dhe Boshkovski në Greqi, tani kanë edhe dy procese të ndryshme të ndërlidhura.
Njëri është për pasaportat e falsifikuara, me të cilët ishin kapur në aeroportin e Selanikut, gjykimi pas tre anulimeve ishte caktuar për dje, por duke marrë parasysh atë se Boshkovski dhe Grujevski janë në Athinë, do të caktohet termin i ri.
Rasti tjetër është pas kërkesës së dorëzuar për azil më 29 nëntor. Dëgjimi para komisionit për azil ishte caktuar për më 15 shkurt, por edhe anuluar, për shkak të asaj se ata gjendeshin në Athinë.