Shkup, 21 shkurt – Ish-kryeministri i Maqedonisë në arrati, Nikolla Gruevski ka reaguar në profilin e tij në Facebook pasi prokuroria po dyshon tek ai dhe 4 persona të tjerë për organizimin e sulmit në Kuvend më 27 prill të vitit 2017.
“As nuk kam organizuar dhe as nuk kam dhënë pëlqimin për askënd që të organizojë një sulm të dhunshëm në Kuvend ndaj deputetëve. Përkundrazi, më parë se të gjithë politikanët, sapo kuptova, kërkova ta qetësoja situatën përmes rrjeteve sociale, sepse atë ditë dhe të nesërmen isha në Vjenë”, ka shkruar Gruevski, transmeton Alsat-M.
Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë të prezantojë provat kundër tij.
“Unë i bëj thirrje prokurorisë të prezantojë publikisht provat kundër meje. Le të shohim dëshmitë materiale ose çfarëdo prove, qofshin ato nga ndonjë dëshmitar i rremë, i parëndësishëm ose i shantazhuar, ose ndonjë i dyshuar i cili është i rrezikuar ose i akuzuar në një rast të caktuar. Dua të dëgjoj publikisht se si nga pozita e kryetarit të VMRO-DPMNE-së paskam ndikuar te ministri Nuhiu”, shkruan Gruevski. (koha.mk)