Shkup, 1 qershor – Ish kryeministri Nikolla Gruevski i cili është në arrati në Hungari, sot në rrjetin social të tij në ‘Facebook’ shkroi se tashmë ka vendosur të tërhiqet nga posti i deputetit dhe se për këtë vendim do ta njoftojë Kuvendin gjatë ditëve të ardhshme.
Gruevski thotë se nuk do të lejojë që VMRO-DPMNE dhe deputetët e tij për shkak tij dhe mandatit të tij të kenë trysni politike dhe se nuk dëshiron që t’i japë mundësi LSDM-së t’u ikë problemeve që kaplojnë qytetarët dhe të fshihet, siç thotë ai, pas politikave kriminale,.
“Vendosa të tërhiqem nga funksioni i deputetit, për të njëjtin vendim ditëve në vijim do ta informoj formalisht edhe Kuvendin. Falënderoj deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët ruajtën pozicionet parimore që janë në përputhje me Kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtar dhe që nuk iu nënshtruan presioneve. Falenderim të veçantë për mijëra qytetarë të cilët në mënyra të ndryshme, përmes kontakteve personale ose nëpërmjet rrjeteve sociale në ditët e fundit më dhanë mbështetje të madhe, pavarësisht të gjitha presioneve dhe padrejtësive, pavarësisht propagandës së rreme dhe të rreziqeve personale, treguan se ndjenja për drejtësi për rezistenca, refuzim dhe rebelimi kundër padrejtësisë, mbetet forca udhëheqëse për popullin dhe qytetarët maqedonas, sa do që qeveria tenton të promovoj vlera tjera në kundërshtim me këto”, ka shkruar Gruevski.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi paralajmëroi se nga 10 qershori duhet të mbahet seancë e re në të cilën pas vendimit të Komisionit të çështjeve të rregullores dhe imunitetit duhet të votohet me dy të tretën e shumicës për marrjen e mandatit të Gruevskit.