Shkup, 23 tetor – Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, sot në pjesëmarrjen e tij në Akademinë solemne në shënimin e ditës së luftës revolucionare të Maqedonisë, deklaroi se VMRO-DPMNE do të tejkalojë edhe këtë periudhë, sepse sipas tij, ka një mision para tyre dhe e ka Maqedoninë si inspirim. Sipas Gruevskit, nëse nuk është VMRO, nuk do të jetë as Maqedonia. “Sot po shkojmë drejt një rruge të rëndë mirëpo të duhur. Rruga patjetër duhet të përshkohet, sepse rrugë tjetër nuk ka. Ideja duhet të jetojë sepse nëse nuk është ideja, nuk do të ketë as të ardhme. Vepra duhet të zgjasë. Jetojmë në një kohë kur po goditet shpirti i maqedonasve. Nuk do të thyejnë nëse të lëndojnë, nëse të njollosin, nëse të diskriminojmë, do të thyejnë vetëm nëse ta vrasin shpirtin, dhe nëse ta mbysin shpirtin, do ta mbysin edhe emrin. Jo 100, por 100mijë prej neve na përgjoni, nuk mund të na frikësoni, nuk do të ulim kokat tona, dhe nuk mundeni të na thyeni boshtin” potencoi Gruevski duke shtuar se ata janë patriotë dhe kombdashës që e duan vendin dhe popullin e tyre dhe janë të përgatitur për sfida të rënda.