Gjersa Zaevi të konkretizojë “pajtimin” këtu, Orbani do të ketë kohën e duhur që mikun e tij ta kthejë në “të sigurt” në vendin e tij. Pra, Zaevi është ai që duhet të flijojë diçka të madhe, ose shtetin juridik me pajtimin(faljen) e premtuar dhe të ruajë kompaktësinë e 80 votave të nevojshme për finalizimin e Marrëveshjes së Prespës, ose interesat e shtetit. Falje selektive nuk mund të ketë, apo jo?
Nga Daut Dauti
Nuk e di nëse ky shkrim do të hyjë në grupin e qasjeve heretike, sepse me qëndrimet dhe dilemat e shtruara në të, mund ta prishë “idilin” emotiv të opinionit publik me realitetin, apo mos ndoshta ndërhyj në “katarzin” që po e përjetojmë kolektivisht pas ikjes së ish-kryeministrit Gruevski. Më duket se situata u koklavit dhe përngjason në nyjën mitologjike të Guardit, që Leka i Madh, kur nuk kishte ditur se si ta zgjidhë, i kishte mëshuar me shpatë…
Të shpresojmë se tash, si të kalojnë ditët pas shokut, dalëngadalë dhe do të ulim nivelin e adrenalinës, se nuk u prish dynjaja! Nëse keni një triler, si ky me gjykimin dhe dënimin “minor” prej “vetëm” dy vjetësh për një tender prej pak më shumë se gjysmë milioni, prej të cilit nëse ka ndonjë përfitim, mund të jetë “imtësirë” kundrejt atyre që pritej të dëshmohen në rastet tjera, dhe që do të ishin më esenciale për shkeljet dhe keqpërdorimet, nëse pak kohë më parë u nis me sukses projekti për ndryshimin e emrit nëpërmjet idesë së “pajtimit”, atëherë është legjitime të shtrohen shumë dilema për rastin Gruevski me shokë, për shtetin juridik dhe për interesin e shtetit. Në këto çaste më të mjegulluar e bëjnë situatën ato pikëpyetje të shumta se me çfare filjese Maqedonia do ta përfundojë projektin madhor të ndryshimeve kushtetuese?
Kur është thyer qerrja, të gjithë i dinë rrugët
Në këtë histeri, një ekspert i Prokurorisë Speciale Publike, duke folur për dënimin e Gruevskit, sikur të kishte pikur prej qielli, shtroi dilemën e çuditshme për qëndrueshmërinë e dënimit të Gruevskit për “tankun”! (krahasoni si kanë përfunduar gjykimet për 40 milionët e Tajvanit(Cile Tupurkovski), ose ai për pjesët e tankeve për 1-2 milionë(Buçkovski)… që s’e panë burgun kurrë, në dallim nga ministri Paunovski për pashtetat…) Shumëkush, edhe nga qarqet opozitare, por dhe të afërt me pushtetin, këtë dënim e shikojnë “të tepruar”, por si sinjal se si do të përfundojnë të gjitha gjykimet. Në këtë eufori të kërkimit të “fajtorit”, akuzohet MPB-ja për lëshim, kurse ajo gishtin e drejton nga gjyqësia, e gjyqësia nga prokuroria (kurse Ilir Meta akuzon policinë e shtetit shqiptar, sepse Gruevski andej paska kaluar),opinioni publik akuzon qeverinë dhe e dyshon njëkohësisht për skenar… Media, analistët, ekspertët, politikanët dhe kujt t’i kujtohet, shtrojnë pyetjen si ka mundur të lihet Gruevski në liri dhe pa mbikëqyrje, duke pasur parasysh(ata e paskan ditur karakterin e tij!) se ka pasur predispozicion të ikë! Gjithë kjo, në një situatë kur lejohen edhe taktizime politike për hir të imperativit, i cili nuk do shumë mend ç’nënkupton. Tash kur është thyer qerrja, të gjithë i dinë rrugët, por, harrojnë se me dashje ose pa dashje, rasti Gruevski është produkt i mosgjeturisë dhe papjekurisë…
Po unë do ta vë theksin te harresa jonë e shpejtë se vetë mund të kemi kontribuar me veprimet tona. Pse?
E para, te gjykimi i Gruevskit u ndërlidhën afshi për ta parë të përkulur dhe të poshtëruar “më të fortin” e deri djeshëm. Afshin për t’ia dhënë dënimin “e merituar”, pas zbulimit të shumë të vërtetave për bëmat e qeverisjes së tij. Por, gjithë këto, sado të merituara(sepse edhe ai dinte t’i përulë kundërshtarët e tij dhe të sillet gjer në ironi: rasti “Kosmos” dhe pantallonat “e lagura” të Fiat Canovskit…), drejtësia te ai mori në thua, se në vend se ta ndjekë për gjërat më të mëdha, e vuri para murit me një rast minor. Shumëkush, sidomos media, ditëve të fundit nisi një licitim publik do shkojë a s’do shkojë në burg Gruevski, si një lloj katarzi kolektiv, sikur perspektiva e shtetit varet nga kjo, që as një “i fortë” si Gruevski nuk i bëri ballë tundimit për të marrë tërkuzën nëpër këmbë dhe të rrënojë vetë imazhin e ndërtuar ndër vite.
E dyta, harruam ndërkohë një situatë të re, situatën që Gruevskit i jepte shpresë që për një kohë të shpëtojë nga burgu,(një ndërhyrje e politikës dhe gjyqësisë në njëra tjetrën!), sepse kryeministri Zaev kishte ofruar një lloj pajtimi, të cilin sot e kësaj dite ende s’e ka zbërthyer ç’do të thotë, por që shumëkush e supozon se do të jetë një falje në fund të procesit. Të paktën unë nuk shoh tjetër pas atij nocioni, duke pasur parasysh se pikërisht vetë Zaevit i duhet një falje e tillë për t’i përfunduar proceset politike.
E treta, e vërteta, për situatën konkrete është vetë menaxhimi politik i implementimit të Marrëveshjes së Prespës do të ishte i pamundur pa ofertën e Zaeivit për pajtim. Mos të harrojmë se ndër tetë deputetët opozitarë, shumica ishin me dosje të hapur gjyqësore: kush për 27 prillin, kush për Shkupin 2014. Nëse bëhemi naivë dhe futim kokën si struci në ranë, atëherë do të themi se pajtimi do të vazhdojë si proces abstrakt(pa “përmbajtje”…), kurse ata që gjykohen do të marrin dënimin e merituar. Pra, është naive të mendohet se do të ketë pajtim pa falje se sa për interesat e shtetit askujt s’i bëhet vonë.
Por, njëra me tjetrën nuk shkojnë bashkë. Këtë çështje sidomos nuk e kuptuan mediat e afërta me pushtetin, të cilat më së shumti u bënë presion organeve gjyqësore, por dhe vetë Zaevit, që përskaj të gjithave, Gruevskin ta çojnë në Shutkë! Kamerat që kujdestaronin për ta kapur momentin dramatik e historik të futjes së Gruevskit në burg, mbetën pa satisfaksion.
Taktizimet e Zaevit për të mos i sqaruar deri në fund gjërat
Do të shohim se si do të zgjidhet implikimi ndërkombëtar, sepse vështirë se një shtet i Bashkimit Evropian, siç është Hungaria, përkundër sentimentit, miqësisë ose afërsisë ideologjike, mund të gjejë ndonjë arsye për t’i ndihmuar mikut në zor. Nga ana tjetër, Gruevski me këtë akt nuk ka cenuar vetëm imazhin e tij, por dhe të partisë së vet, i ka futur në telashe edhe ish-shokët e tij, sepse fill pas ikjes për “për shkak të kërcënimeve”, gjyqësia ndërmori masa preventive duke i futur në paraburgim Janakievskin dhe Bozhinovskin. Por, më së shumti, ia ka ngatërruar lëmshin Zaevit, të cilit do t’i duhet shumë takt e strategji për të dalë nga kjo situatë, pa e rrezikuar interesin nacional, atë të ndryshimeve kushetutese dhe të integrimit në BE dhe NATO. Numri prej 80 deputetëve , i sigurua me aq mundim (me shumë premtime të cilat publiku nuk i di, por i supozon) në çdo moment mund të rrënohet nëse nën presionin e publikut, tërhiqet nga premtimet e dhëna 8 deputetëve të opozitës. Kur këta deputetë kanë dosje gjyqësore dhe përkrahja e tyre për ndryshimet kushtetuese sigurisht nuk ka qenë për sy të zez’, aq më tepër kur në sigurimin e tyre janë involvuar ish-udhëheqës të lartë të VMRO-së që iu kundërvënë liderit të tashëm Mickovski. Vaj halli për Zaevit nëse nuk i përmbush premtimet. Kur para ndonjë numri kisha shkruar se për hir të shtetit u flijua shteti juridik, shumëkush edhe nuk e ka kuptuar porosinë, por taktizimet e Zaevit për të mos i sqaruar deri në fund gjërat, u treguan si dobësi para presionit publik, gjë që rezultoi me ikjen e Gruevskit. Pa i pasur parasysh implikacionet politike në vend dhe shtetin juridik, si dhe ato ndërkombëtare, është vështirë të gjendet zgjidhja. Por, unë kisha thënë, të ulet tensioni dhe të zbutet presioni rreth rastit, sepse pasi ka kaluar kufijtë, çështja Gruevski është çështje e Bashkimit Evropian! Vetëm mbetet të shihet se si Orbani do të gjendet. Ndoshta Zaevi dhe Orbani do të luajnë në kohën e nevojshme për t’i harmonizuar interesat e shteteve të tyre. Gjersa Zaevi të konkretizojë “pajtimin” këtu, Orbani do të ketë kohën e duhur mikun e tij ta kthejë në të sigurt në vendin e tij. Pra, Zaevi është ai që duhet të flijojë diçka të madhe, ose shtetin juridik me pajtimin(faljen) e premtuar dhe të ruajë kompaktësinë e 80 votave të nevojshme për finalizimin e Marrëveshjes së Prespës, ose interesat e shtetit, që do të rrezikohen nga shpërbërja 80 votave, që realisht mund të ndodhë nëse pajtimi nuk përfundon me faljen e Vasilevskit, Mukovskit, Kançevskës… Falje selektive nuk mund të ketë, apo jo, e qartë ç’dua të them. Nëse dështon ky projekt politik dhe humbet përkrahja e 8 deputetëve të opozitës, rrezikohet e gjithë Marrëveshjes e Prespës dhe humbet perspektiva euroatlantike.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)