Omer XHAFERI
Shkup, 10 mars – Ish kryeministri Nikolla Gruveski dhe ish ministri Mile Janakievski, së bashku me 12 të akuzuarit tjerë për sulmin ndaj “Komunës Qendër” në qershor të vitit 2013, të premten nuk u paraqitën në seancën gjyqësore, ndërsa gjykatësja e rastit Tatjana Mihajllova, nuk dha sqarim sepse 14 personat e akuzuar mungojnë. Ajo solli vendim që shqyrtimi i seancës kryesore të shtyhet për me datë 3 maj, kur edhe pritet që të prezantojnë rreth 20 dëshmitarë, në krye me kryetarin aktual të Komunës Qendër, Andrej Zhernovski. Avokati Nikolla Dodevski, duke treguar se pse klienti i tij Gruevski dhe të tjerët nuk erdhën në këtë seancë, potencoi se mos procedimi i vendimit të Këshillit të prokurorëve publik, për zëvendësimin e prokurores speciale Fatime Fetai, që e udhëheq lëndën, është shkaku kryesor se pse klientët e tij nuk kanë prezantuar në gjykim. Në ndërkohë, prokurorja speciale Katica Jenave, duke folur para gazetarëve, tha se ende nuk e ka shqyrtuar letrën e dërguara nga KPP-ja, dhe se në asnjë mënyrë nuk do të shkarkohet prokurorja Fatime Fetai, e cila nga fillimi e udhëheq këtë rast. Gjatë pjesës procedurale të seancës së ditës së premte, prokurorja speciale Fatime Fetai, kërkoi shpjegim nga gjykatësja se pse edhe pas katër muajve nga mbajtja e seancës së parë për këtë lëndë, në dhjetor të vitit të kaluar, atyre nuk ju dorëzohen video materialet e seancës gjyqësore. “Pavarësisht se deri më sot shumë herë ju kemi shkruar kërkesë dhe lutje që video materialet e 16 dhjetorit të vitit të kaluar t’i dorëzoni, ju nuk e keni bërë gjë të tillë. Ndërsa, deri te KPP, në mënyrë urgjente e keni dorëzuar video materialin e seancës së fundit të mbajtur me 22 shkurt, për të vërtetuar përgjegjësin tonë, respektivisht shkeljet eventuale gjatë asaj seance. Në bazë të këtyre zhvillimeve, ne kërkojmë të sqaroni se pse këto xhirime nuk po na i jepni, me të cilat edhe ne do të shërbehemi për të dëshmuar përgjegjësinë tuaj penale”, tha prokurorja Fetai. Seanca e fundit për këtë lëndë u mbajt me 22 shkurt, e cila ngjashëm s’i kjo e ditës së premte, nuk filloi me prezantimin e dëshmive nga prokuroria, për arsye se prokuroret speciale Katica Janeva dhe Fatime Fetai, nga ana e Trupit gjykues në krye me gjykatësen Mihajllova, u dënuan me 2 mijë euro gjoba, me arsyetim të mos respektimit të Gjykatës. Ndryshe, dy ditë më parë KPP, i kryesuar nga Petar Anevski, konstatoi se prokuroret Janeva dhe Fetai e kanë shkelur kodin etik të sjelljes, me çka i propozoi PSP-së që prokurorët e rastit ta shkarkohen nga procedimi i mëtejmë i lëndës. Mes tjerash, brenda kësaj periudhë në Gjykatën Penale të Shkupit, ushtruesi i detyrës kryetar Gjykate, gjykatësja Mihajllova deri te Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë, parashtroi dorëheqje të parevokueshme, e cila prite të shqyrtohet në ditët në vazhdim. Zvarritja e këtij procesi gjyqësor, i iniciuar vitin e kaluar nga PSP, ende nuk ka filluar të shqyrtohen me argumente. Lidhur me këto zhvillime, PSP-ja në fillim të këtij muaji deri te Gjykata e Apelit parashtroi ankesë, e cila deri më sot ende nuk ka sjell vendim.