Shkup, 10 nëntor – Ish kryeministri Nikolla Gruevski deri në mëngjes nuk është paraqitur në burgun e Shutkës, ku duhet të fillojë vuajtjen e dënimit me burg prej dy viteve për lëndën “Tanku”, pasi dje pasdite Gjykata Penale e refuzoi ankesën e tij të fundit.
Mbrëmë para burgut ekipe të gazetarëve gati se nga të gjitha mediat e Maqedonisë ishin në pritje të Gruevskit. Informacione zyrtare për atë se a i është dërguar vendimi nuk kishte, por jozyrtarisht, ishin bërë tre përpjekje nga rojtarët e gjykatës në shtëpinë e tij që personalisht t’ia dorëzojnë vendimin.
Pasi që Gruevski do ta pranojë vendimin, do të duhej që menjëherë të lajmërohet në burg për vuajtjen e dënimit për mercedesin e blinduar. Vendimi Gruevskit mund t’i dorëzohet të hënën, kur ish kryeministri duhet të paraqitet në seancë gjyqësore për lëndën “Titanik”.
Nëse Gjykata vërteton se Gruevski i shmanget asaj që ta pranojë vendimin atëherë jepet urdhër arrest.
Këshilli penal i sektorit për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatës Themelore Shkupi 1, ka refuzuar ankesat e Nikolla Gruevskit dhe të avokatëve të tij dhe ka konfirmuar vendimin e gjykatësit për kryerje të sanksioneve me të cilën ish kryeministri dhe ish lideri i VMRO-DPMNE-së, duhet të paraqitet në burgun e Shutkës, për të vuajtur dënimin me burg prej dy vitesh për lëndën “Tanku”.
Gruevski dje duhej paraqitur për të vuajtur dënimin me burg. Por, ai dhe avokatët e tij dorëzuan ankesa kundër vendimit të gjykatësit për kryerje të sanksioneve i cili vepron në bazë të lëndës.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dje nuk ia mori mandatin e deputetit Gruevskit sepse nuk kishte shumicë prej dy të tretave.