Shkup, 13 nëntor – Ish kryeministri Nikolla Gruevski edhe më tej është i pakapshëm për policinë e cila gjurmon pas tij që të zbatojë vuajtjen e dënimit me burg prej dy vjetësh për lëndën “Tanku”.
Tani për tani nuk ka informacione nëse MPB e ka locuar Gruevskin. Nga MPB thonë se policia vazhdon të veprojë pas fletëarrestit të lëshuar dhe se do ta informojë opinionin pasi të kenë të dhëna konkrete.
Policia mbrëmë disa herë u përpoq të gjejë Gruevskin në shtëpinë e tij, por pa sukses. Ekipe të policisë kanë qenë në selinë e VMRO-DPMNE-së.
Avokati i Gruevskit, Dimitar Dangov dje deklaroi se nuk ka njohuri se ku gjendet klienti i tij. Ai ka thënë se Gruevski nuk ka të drejtë ankese deri në Gjykatën Supreme për vendimin e Penales. Por, ka shtuar se do të përdorin gjitha mundësitë tjera juridike.
Kryeministri Zoran Zaev mbrëmë deklaroi se nuk pret që ish kryeministri Nikolla Gruevski, për të cilin është shpallur fletëarrest, të lejojë që të largohet.
“Unë pres se ai nuk do t’i lejojë vetes që të kërkohet për arrestim. Ai thoshte se nuk do të lejojë një gjë të tillë, të paktën të tilla janë informacionet e mia nga ato që ka thënë Nikolla Gruevski”, tha Zaev në pjesëmarrjen e tij në një emision në Televizionin e Maqedonisë.
Nga VMRO-DPMNE, kanë akuzuar se kundër ish liderit të tyre zhvillohet përndjekje politike.
“Vallë për personin për të cilin me vite zhvilloni përndjekje politike dhe e trajtoni si armik të shtetit thoni se nuk e dini se ku ndodhet?”, parashtron pyetjen lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski duke shtuar se “deri dje, ashtu si edhe ai, na ndiqnit dhe na kërcënonit të gjithë”.
Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së Igor Janushev paralajmëroi se partia do të ndërmarrë të gjitha mjetet juridike, demokratike dhe të domosdoshme, siç tha, për keqpërdorimin e institucioneve dhe tentativën për të heshtur opozitën.
“Nëse policia ka urdhër për kontroll dhe me të vërtetë dyshon se Nikolla Gruevski është në shtab mundet lirisht të vijë dhe të verifikojë së bashku me ne. Kjo është një përndjekje politike dhe asgjë më tepër”, tha Janushev.
Fletëarresti i MPB-së ishtë lëshuar me kërkesë të Gjykatës Penale, pasi Gruevski nuk është paraqitur në burg në afatin e paraparë. Gjykata dje pasdite në ora 16.30 ka dorëzuar deri te SPB Shkup kërkesën për fletëarrest ndaj Gruevskit, pasi ditë më parë korrierët nuk arritën t’ia dorëzojnë vendimin e Gjyqit me të cilën refuzohet ankesat e tij lidhur me dënimin me burg për lëndën “Tanku”.
Ish kryeministri, krahas lëndës “Tanku”, akuzohet edhe për disa raste tjera të hapura të PSP-së si “Dhuna në Qendër”, “Titanik”, “Trajektorja” dhe “Talir”.