Shkup, 31 janar – Ish kryeministri Nikolla Gruevski, përmes shefit të Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, e ka organizuar ngjarjet e dhunshme të “27 prillit”. Shefja e Prokurorisë për krim të organizuar, Villma Ruskovska, në fjalët përfundimtare për rastin e “27 prllit”, tha se i akuzuari Çavkov, ditën e dhunës në Parlament, pasi kishte marrë informacione se atë ditë do të zgjidhet kryeparlamentari, nëpërmjet sms-porosisë e kishte informuar Nikolla Gruevskin (i cili kishte qëndruar në Vjenë), shkruan gazeta KOHA.
Lidhja e Gruevskit me ngjarjet e dhunshme në Parlament, sipas prokurorisë, është vërtetuar nga ekspertiza e kryer mbi telefonin e ish-kryeparlamentari Trajko Veljanovski, pasi celulari i Çavkovit nuk është gjetur akoma.
Mes tjerash, prokurorja Ruskovska, gjatë fjalëve përfundimtare theksoi se i akuzuari Çavkov, nga zyra e VMRO-DPMNE-së ka dhënë urdhra për veprime pasive të njësive policore. Njëkohësisht, duke e ripërsëritur rrëfimin e dëshmitarit të rrezikuar C1, Ruskovska tha se i akuzuari Jane Çento gjatë gjithë kohës ka qenë në komunikim me ish shefin e BSP-së, Mitko Çavkov, prej të cilit ka pranuar edhe urdhra se si duhet vepruar.
Ndërkaq, pas ngjarjeve të 27 prillit, sipas dëshmitari C1, ai së bashku me të akuzuarin Aleksandar Vasilevski Ninxha, vazhdimisht janë takuar me Çavkovin, ndaj të cilit kanë shprehur pakënaqësi se i ka organizuar në bazë të urdhrave të Gruevskit. Prokuroria për krim të organizuar po ashtu ka vlerësuar se gjatë rrjedhës së deritanishme të procesit gjyqësor për ngjarjet e 27 prillit, është vërtetuar se i akuzuari Çavkov me vetëdije nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e situatës dhe se atë natë – asgjë nuk ka qenë rastësi.
“Dëshmitë konfirmuan se veprimet e ndërmarra janë të lidhura dhe të njëpasnjëshme me qëllim që të rrezikohet rendi kushtetues. Dëshmoi se kjo akuzë nuk është revanshizëm politik, por akt për dëshmimin e veprës dhe ruajtjes së të drejtës”… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)