Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane Artan Grubi sot realizoi takim me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Republikën e Maqedonisë, SH.T. Emilio Lorenco Sera. Bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer mendime rreth situatës së brendshme politike në vend, anëtarësimit të vendit në strukturat euroatlantike, fqinjësisë së mirë, barazisë gjuhësore dhe aktiviteteve reformuese në kontekst të porosive të përmbajtura në Strategjinë e re të Komisionit Evropian për zgjerim me vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2025.
“Në lidhje me zbatimin e agjendës reformuese, Grubi vlerësoi se për realizimin e saj është i domosdoshëm konsensusi politik dhe shoqëror. Grubi e njoftoi ambasadorin me sfidat me të cilat ballafaqohet Republika e Maqedonisë në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s. Pastaj, vëmendje e veçantë u ishte përkushtuar përpjekjeve të cilat bëhen në këtë proces, duke e përfshirë edhe rrjedhën e negociatave me Greqinë për tejkalimin e dallimit rreth emrit, me ç’rast shprehu optimizëm për zgjidhjen përfundimtare”, thuhet në kumtesën nga Komisioni për Çështje Evropiane i Kuvendit të RM-së.
Bashkëbiseduesit janë dakorduar se vetëm Ballkani Perëndimor i sigurt, stabil dhe progresiv si pjesë e familjes evropiane paraqet garanci për të ardhmen, stabilitetin dhe sigurinë e Evropës në tërësi. Ambasadori Lorenco Sera i mbështet aspiratat euroatlantike të Maqedonisë dhe ka shprehur interesim që ta ndihmojë Maqedoninë në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s.