Shkup, 6 mars – Kursi evropian dhe euroatlantik i Republikës së Maqedonisë, kontesti me Athinën, Marrëveshja e Ohrit ishin tema për të cilat sot biseduan kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi dhe ambasadori i Republikës së Francës në Republikën e Maqedonisë, Kristijan Timonie.
Në këtë kontest, Grubi u përqendrua edhe në tentimet për tejkalimin e dallimeve për emrin me Republikën e Greqisë, gjithë kjo me qëllim përfundimtar, që Republika e Maqedonisë të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së.
Ai e theksoi kënaqësinë nga dinamika e hapave drejt zgjidhjes përfundimtare të kontestit mes Shkupit dhe Athinës.
Grubi dhe Timonie këmbyen mendime edhe për Ligjin për përdorimin e gjuhëve me të cilin do të rrumbullakohet pjesa normative e Marrëveshjes së Ohrit, me çka Maqedonia dhe shteti ynë do të bëhet më i fuqishëm, më stabil, më i sigurt dhe më koheziv, ndërsa u këmbyen edhe mendime për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, përmes përforcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në sfera të ndryshme me interes reciprok.