Grubi: Subvencionet për bashkësitë e pakicave për momentin janë vetëm debat

20

Shkup, 19 shtator  – Subvecionet për bashkësitë e pakicave për momentin janë vetëm debat i cili është i hapur. Subvencionuam punësime  në investimet e huaja  në të gjitha zonat e lira ekonomike ku i kemi dhe nuk kishte  reagime të tilla.  Më vjen keq që ende ka reagime  rreth nevojës për respektim të Kushtetutës në shtet, u përgjigj sot  zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive Artan Grubi gjatë vizitës  në Spitalin  special për gjinekologji dhe akusheri “Nëna Terezë” në Çair.

“Ideja për subvencionim  të përfaqësimit adekuat të drejtë nuk është vetëm për shqiptarët, por  për të gjithë. Edhe maqedonasit të cilët janë me përfaqësim më të vogël  në Tetovë dhe në Gostivar, në Strugë ose në Dibër dhe Çair dhe e kundërta shqiptarët ku janë me përfaqësim  më të vogël në  kompanitë tjera veçanërisht  ku edhe shteti ka pjesë. Për momentin kjo është vetëm ide, debat  të cilin e hapëm. Siç e kemi parë edhe  në vetë pjesën e programit të qeverisë në fq. 33 paragrafi 4 mund të lexoni se Qeveria do të përpiqet  të hapë dialog me kompanitë private veçanërisht ato të cilat  kanë pjesë dhe kompranitë vendore e të huaja të cilat funksionojnë  në shtet ta ruajnë parimin kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të të gjitha komuniteteve”, theksoi Grubi.

Tha se ka shumë reagime në shtet, veçanërisht  në rrjetet sociale dhe  nuk e ka të qartë  pse është ashtu kur propozimi është respektimi i Kushtetutës.

“Parimi kushtetues është përfaqësimi i drejtë. Atë e bëjmë në institucionet tona pse mos ta bëjmë edhe  në kompanitë. Nuk flasim për punësime  të kuadrove jocilësore ose kuadro të cilat  nuk i plotësojnë kushtet që t’i kryejnë  detyrat e punës. Flasim për mënyrën më transparente  të zgjedhjes së kuadrove më cilësore, megjithatë duke e ruajtur edhe parimin kushtetues për përfaqësim adekuat”, tha Grubi.

Sipas tij kjo quhet  diskriminim pozitiv. Këtë, tha ai, e kishim prej vitit 2001 deri më sot dhe  në përgjithësi u tregua si formula më e suksesshme për mbijetesën e shoqërisë sonë dhe për zhvillimin e shoqërisë sonë.

“Çka shkoi keq për shtetin tonë kur Fatmir Besimi ishte ministër i Mbrojtjes, Talat Xhaferi kryetar i Kuvendit. Përkundrazi, shteti është më besnik ndaj qytetarëve, qytetarët janë më besnik ndaj shtetit,  ashtu bëhet  më e fuqishme ekonomia.  Nuk themi  sipas çelësit etnik,  themi përfaqësim të drejtë, diskriminim pozitiv për të gjithë”, theksoi zëvendëskryeministri i parë.

I pyetur për zëvendësministrat, Grubi tha se seanca në Kuvend për zgjedhjen e tyre do të mbahet të martën dhe se për dy ditë debati do të përfundojë.

“Sekretarët shtetëror tashmë janë në proces të zgjedhjes në shumicën e ministrive, ndërsa vendet e drejtorëve  do të plotësohen  me proces transparent të konkursit dhe me intervista  e zgjedhje të kuadrove  më cilësore”, sqaroi Grubi.

Comments are closed.