Shkup, 19 shtator – Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi gjatë ditës së sotme pati takim me Liliana Tangi, deputete në Kuvendin Nacional të Francës dhe zëvendëskryetare e Komisionit për Çështje Evropiane nën shoqërimin e ambasadorit të Republikës së Francës në Republikën e Maqedonisë, Kristian Timonie.
Në takimin, thuhet në kumtesë, u këmbyen mendime për ngjarjet aktuale në vend dhe rajon, me theks të posaçëm në referendumin i cili do të mbahet më 30 shtator të këtij viti.
Grubi informoi se fushata për referendum të suksesshëm po zhvillohet dhe se gjendja në teren deri më tani është e kënaqshme, gjegjësisht se ka disponim tek votuesit në vend që të prononcohen “PËR” mbështetje të marrëveshjes së Prespës dhe për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO.
Në atë kontekst, Grubi tha se referendumi do të jetë i suksesshëm dhe se mazhoranca në mënyrë të përforcuar punon në arritjen e censusit të daljes së votuesve.
“Referendum do të jetë i suksesshëm sepse atë e dëshirojnë qytetarët”, është shprehur Grubi.
Gjithashtu, shprehu bindjen, se pastaj, ndryshimet kushtetuese, të cilat rezultojnë nga Marrëveshja, do të votohen në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Deputetja Tangi, përsëri e konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Francës për anëtarësimin euroatlantik të Maqedonisë, me ç’rast theksoi mbështetje për referendumin , duke theksuar rëndësinë e këtij referendumi për ardhmërinë e vendit, në kontekst të anëtarësimit tonë në këto struktura ndërkombëtare të rëndësishme, thuhet në vazhdimin e kumtesës.
Grubi u falënderua për mbështetjen e madhe politike të përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, si dhe të Francës, të cilët japin mbështetje të sinqertë për rezultatin pozitiv të referendumit dhe anëtarësimin tonë në BE dhe NATO.