Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Artan Grubi sot realizoi takim me ambasadorin e Republikës së Çekisë në vend Mirosllav Toman. Në takim, thuhet në kumtesën e Komisionit për Çështje Evropiane, është biseduar për ngjarjet aktuale në vend, për realizimin e planit reformues të Qeverisë dhe zbatimin e pjesës normative të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Grubi e ka theksuar rëndësinë dhe angazhimet të cilat bëhen në lidhje me zgjidhjen e kontesteve me fqinjët, për çka dëshmon edhe arritja e marrëveshjes me Bullgarinë për fqinjësi të mirë, me ç’rast theksoi se koalicioni me guximin e njëjtë do të qaset edhe në lidhje me çështjen e emrit me Greqinë.
Sa ju përket reformave, Grubi ka theksuar se angazhohet që këtë vit të zgjidhet çështja për prokurorin e ri, Ligjin për verifikimin e fakteve dhe Ligjin për Këshillin gjyqësor, Ligjin për dëshmitarët e mbrojtur, me shpresë se edhe opozita do të vazhdojë të veprojë në Kuvend, t’i përkrah dhe do të bëhet pjesë e zgjidhjeve reformuese, me çka do të dërgohen rezultate të dukshme në Bruksel, pas marrjes së rekomandimit të qartë dhe datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Ambasadori Toman, duke e theksuar mbështetjen çeke për Republikën e Maqedonisë në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së, ka informuar se Republika e Çekisë është mbështetës i fuqishëm i procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe se do të japin impuls të fuqishëm edhe në vendet tjera anëtare të BE-së në vazhdimësi të punojnë në procesin e Evropës së bashkuar.
Në këtë kontekst ambasadori Toman gjithashtu ka theksuar se duhet të shfrytëzohet momenti i mbështetjes nga investimet e Bashkimit Evropian në lidhje me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se dera është e hapur dhe se u mbetet vendeve aspirante t’i dërgojnë reformat e kërkuara nga ana e Brukselit. Në fund të takimit, siç thuhet në kumtesë, nga ambasadori Mirosllav Toman është informuar se Komisioni për Mbrojtje dhe Punë të Jashtme i Senatit të Republikës së Çekisë do të realizojë vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë në muajin prill të vitit të ardhshëm.