Shkup, 17 shkurt – Datë pa zvarritje nga BE-ja për fillimin e negociatave në mars të këtij viti në Samitin e Zagrebit, kërkoi kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane pranë Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, në takimin e sotëm me Janjina Hrebiçkova, përfaqësuese e posaçme për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke.
Grubi, siç kumtojnë nga Komisioni, theksoi se shumica parlamentare brenda këtij mandati, që mbaroi dje, arriti të përmbushë të gjitha kriteret politike, por edhe të miratojë ligje reformuese në fushën e gjyqësorit me theks të veçantë në Ligjin për Prokurorinë Publike.
Në këtë kontekst, thuhet në kumtesë, kërkoi pa zvarritje që BE-ja të na japë datë për fillimin e negociatave në mars të këtij viti në Samitin e Zagrebit.
Hrebiçkova riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Grupit të Vishegradit për aspiratat tona evropiane, anëtare e së cilës është edhe Çekia dhe se ajo do të vazhdojë.
Grubi për zhvillimet e tanishme në vend, tha se ato ishin në korniza të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në muajin prill.(koha.mk)