Shkup, 15 shkurt – Absolutisht asnjëherë Kodi zgjedhor nuk ka qenë kusht për çfarëdo ligji tjetër të miratohet në këtë Kuvend, por ata kanë qenë procese paralele që janë zhvilluar me muaj prapa dhe me vullnet të të gjitha partive politike, ka thënë sot deputeti i BDI-së, Artan Grubi, raporton KOHA.
Ai ka shprehur kënaqësi që komunat e njësisë së gjashtë zgjedhore transferohen në të pestën që siç tha “është rekomandim që nga viti 2014 nga ana e OSBE-ODIHR”.
“BDI nuk mund të lejojë mosrespektim të Marrëveshjes së Ohrit dhe Marrëveshjes së Prespës, dygjuhësinë si dhe emrin kushtetues të RMV-së dhe kjo nuk duhet të mbetet praktikë, pasi do na e prish imazhin në mars, ndërsa në maj të marrim datë për negociata me BE-në, pasi asnjë vend anëtar i BE-së, nuk do të tolerojë mosrespektim të Marrëveshjes së Prespës por dhe të Marrëveshjes së Ohrit”, ka thënë Grubi lidhur me arsyen për të cilën kanë votuar për shkarkimin e ministres Rashela Mizrahi.
Ai ka thënë se nuk diskutohet më për ligjin për Prokurorinë publike dhe ata që janë të përcaktuar të votojnë për ligjet me dy të tretat, do të votojnë.
“Unë shpresoj se edhe ata që thanë se nuk do të votojnë, siç janë Besa, Aleanca për Shqiptarët do ta japin votën e tyre që të sigurojmë dy të tretën e shumicës, ta miratojmë këtë ligj dhe të vazhdojmë të hapërojmë drejt BE-së dhe t’u japim çfarëdo arsyetimi të mundshëm shteteve anëtare të ndajnë datë për negociata”, ka thënë Grubi. (koha.mk)