Grubi: Merita për rekomandimin u takon qytetarëve

Me rastin e publikimit të Progres-raportit të Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë për vitin 2017, Artan Grubi, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë i përshëndeti lajmet e bukura të pritura dhe të merituara nga Brukseli për Maqedoninë. “Marrja e rekomandimit të pastër për fillimin e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë me Bashkimin Evropian, paraqet vërtetim për punën e kryer në mënyrë të guximshme, vërtetim se qeveria reformuese dhe shumica e re parlamentare e kthyen vendin në rrugën euroatlantike, vërtetim se Republika e Maqedonisë është tregim i suksesshëm, theksoi Grubi. Merita u takon qytetarëve të cilët i investuan të gjitha pritjet dhe përpjekjet e tyre në realizimin e synimit euroatlantik. “Si lidership politik me vizion u angazhuam t’i përmbushim detyrat e shtëpisë. Me përkushtim, në mënyrë të guximshme, patriotike dhe me një dinamikë të jashtëzakonshme u përqendruam në mënjanimin e të gjitha pengesave në rrugën tonë drejt Brukselit, përmes ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe masave për mirëbesim dhe tejkalim të kontesteve dhe keqkuptimeve, por duke mos e harruar edhe finalizimin e pjesës normative të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, shtoi Grubi.

Kjo është Maqedonia drejt së ardhshmes, kjo është Maqedonia e sotme të cilën të gjithë duhet ta shohim, Maqedonia me institucione demokratike, marrëdhënie të shkëlqyeshme fqinjësore dhe Maqedonia e shkarkuar nga problemet ndëretnike. “Interesat dhe pritjet e qytetarëve janë udhërrëfyes i yni”, deklaron Grubi, duke plotësuar se pritjet për reformat tona të cilat do t’i respektojmë në rrugën drejt BE-së janë në drejtim të vendosjes së institucioneve që do të garantojnë sundim të së drejtës dhe të cilëve do t’u besojnë qytetarët, mediume plotësisht të pavarura, por edhe të përgjegjshme, organizata joqeveritare aktive dhe shoqëri të përfshirë, komunitet vigjilent dhe i angazhuar, mekanizma kontrolluese aktive, gjykatës dhe prokurorë të cilat do të japin kontribut për reformimin e shoqërisë përmes kryerjes primare të detyrës, në pajtim me fjalën e së drejtës. Ai  theksoi se në kushte të klimës së krijuar pozitive për procesin e integrimit evropian, në vend, në BE dhe te vendet anëtare, pritet në afat sa më të shkurtër edhe datë për fillimin e negociatave, duke theksuar se ky lidhership politik është gati për ta bartur barrën e një sfide të tillë të gjeneratës.

Grubi e përshëndet progresin edhe për vendet tjera të rajonit, marrjen e rekomandimit për Shqipërinë, vlerësimet inkurajuese për Kosovën dhe BdheH, si dhe njohjen e progresit për Serbinë dhe Malin e Zi, me ç’rast vlerëson se procesi i anëtarësimit mbetet një proces i bazuar në merita dhe se sferat të cilat Komisioni Evropian i shënon, si dhe ato në të cilat duhet të fokusohen vendet dhe ku pritet se duhet të arrihet progres i vërtetë, janë sferat e njëjtë që janë në fokus primar të Republikës së Maqedonisë, sundimi i të drejtës, menaxhimi, zhvillimit ekonomik, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal. Zgjerimi i politikës së BE-së mbetet instrumenti më efektiv për garantimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, përfundon Grubi, apelon për ndërtimin e konsensusit në mes të të gjithëve, të zhvillohet dialog politik në mënyrë transparente dhe të përfshihen të gjithë faktorët shoqërorë në zbatimin e qëllimit tonë të përbashkët, anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO. “Ne do të vazhdojmë të punojmë me guxim edhe për gjetjen e një zgjidhjeje shumë të shpejtë dinjitoze dhe që do të jetë e pranueshme reciprokisht për pengesën e fundit në rrugën tonë për në Bruksel, kontesti me fqinjin jugor, dhe në atë mënyrë ta radhisim Maqedoninë krah për krah me familjen e madhe Euroatlantike të vlerave të përbashkëta” theksoi Grubi.