Shkup, 26 shtator – Në të gjithë së bashku, jemi gjeneratë e lumë, sepse përjetuam dhe kontribuam në arritjen e marrëveshjes së Ohrit dhe ndryshimeve kushtetuese. Ishim të lumë se kishim fatin që bashkë ta legalizojmë USHT-në dhe ta themelojmë UNT-në, tha Artan Grubi mbrëmë gjatë tubimit të Bashkimit Demokratik për Integrim në sheshin Skënderbeu në Shkup, në kuadër të fushatës për referendumin.
“Sa të lumë që jemi ne, si gjeneratë, të lumë që mund të bëjmë një gjë për tjetrin. Ne dhe ju, bashkë, jemi gjeneratë e lumë sepse përjetuam dhe kontribuuam në arritjen e marrëveshjes së Ohrit dhe ndryshimeve kushtetuese. Ishim të lumë se kishim fatin që bashkë ta legalizojmë USHT-në dhe ta themelojmë UNT-në. Sa me fat që ishim ne që bëmë komunat tona, sollëm pushtetin tek qytetari. Po aq me fat dhe të lumë ishim si gjeneratë që e bëmë flamurin tonë”, tha Grubi.
Ai, gjatë fjalimit të tij te sheshi Skenderbeu në Shkup përmendi edhe statusin vend kandidat për anëtarësim në BE, liberalizimin e vizave, datën për fillim të negociatave dhe ftesën për anëtarësim në NATO.
“Të ndalemi pak dhe të mendojmë se i përkasim gjeneratës që kishte fatin të jetojë në kohën kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, e Kosova e pavarur, që të dyja këto i festuam pikërisht në këtë shesh. Ne kishim fatin edhe t’i rrënojmë kufijtë mes nesh dhe ta njohim pavarësinë e Kosovës. Kishim fatin të bëjmë barazinë gjuhësore dhe rrumbullakësimin e marrëveshjes së Ohrit”, theksoi Grubi, duke cekur me këtë rast edhe lidhjen e marrëveshjeve me Bullgarinë dhe Greqinë, që më herët, tha, dukeshin të pamundura.
Ai para të pranishmëve tha se nesër do të kemi fatin dhe përgjegjësinë që të punojmë për barazi ekonomike dhe do ta bëjnë këtë, sepse u dëshmuan me të lartpërmendurat.
“Këtë fat dhe përgjegjësi e kemi sepse ashtu keni vendosur ju, të na bëni vendimtarë. Duke qenë vendimtarë, ne ngritëm flatrat në drejtim të erës që po shpie anijen tonë të përbashkët drejt Brukselit. Ndërsa më 30 shtator zonja dhe zotërinj, me 30 shtator kemi fatin e papërsëritshëm, siç do thoshte Abdyl Frashëri më 1878, u mbuall fara, me 30 shtator mbillet fara e drurit që nesër do t’u bëjë hije Epirit tim, Olsës së Kryetarit, Elsës së Bujarit, Mbretit të Ejupit, Dionit të Visarit, dhe të gjithë fëmijëve tanë, hije të rëndë evropiane. Kjo është beteja e gjeneratës sonë për fëmijët tanë”, tha Grubi në fund të fjalimit të tij.