Shkup, 29 janar – Deputeti Artan Grubi, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane, sot u takua me ambasadorin e Greqisë në Shkup, Dhimitris Janakakis.
Deputeti Grubi dhe ambasadori Janakakis biseduan dhe shkëmbyen mendime për gjendjen politike aktuale në vend dhe në rajon, negociatat Shkup – Athinë rreth kontestit me emrin, marrëdhëniet e mira fqinjësore, si dhe për integrimin euroatlantik.
Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi, para ambasadorit Janakakis u shpreh i kënaqur që kreu shtetëror në vend mbajti takim koordinues para vizitës së ardhshme të ndërmjetësuesit Nimic në Shkup dhe Athinë.
Deputeti Grubi, gjithashtu, e përshëndeti takimin e parë të drejtpërdrejt të kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, javën e kaluar në Davos, dhe vlerësoi se ky paraqet një angazhim të fortë për intensifikimin e procesit për zgjidhjen e kontestit me emrin.
Koha për zgjidhje është tani dhe të gjithë të cilët synojnë në integrimin euroatlantik dhe fqinjësinë e mirë duhet të bëhen pjesë të zgjidhjes konsensuale dhe të pranuar reciprokisht.
Integrimi në NATO dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian janë prioritetet tona absolute dhe se kjo duhet të jetë pika e lidhjes ndërmjet të dyja vendeve në interes të prosperitetit dhe stabilitetit të tërë rajonit.