Grubi: Institucionet në mënyrë adekuate të përgjigjen për rastin “Reket”

Shkup, 16 korrik – Me rastin “Reket” konfirmohet nevoja për transparencë, për veting veçanërisht për prokurorët, gjykatësit, por edhe për të gjithë ata të cilët i përkasin shërbimit publik duke përfshirë edhe politikanët, deklaroi sot deputeti i BDI-së Artan Grubi, njofton Koha.mk

Grubi tha se shpreson se institucionet do ta kryejnë punën e tyre në mënyrën më të mirë dhe më transparente të mundshme dhe se kjo do të na afrojë drejtë NATO-s dhe drejtë BE-së, edhe pse për të anëtarësimi në Aleancë tashmë është tregim i përfunduar.

“Përderisa për BE-në sundimi i së drejtës është prioritet absolut, me respekt të plotë drejtë prezumimit të pafajësisë, se institucionet funksionojnë dhe shpresoj se do ta shohim epilogun i cili duhet të jetë sipas Ligjit”, tha Grubi.

Grubi thotë se ai dhe anëtarë të partisë së tij nuk kanë pasur dijeni konkrete për disa keqpërdorime nga ana e PSP-së, por vlerëson se sistemi është komprometuar, siç tha, që nga vetë fillimi kur dolën materiale të përgjuara nga viti 2015 e deri më sot.

“Vlerësoj se ky komprometim i këtij sistemi nuk arriti të gjejë përgjigje adekuate nga ana e institucioneve veçanërisht prokuroria e cila duhej të veprojë në mënyrë më rigoroze, më të drejtpërdrejtë, më efikase që të kthehet i gjithë sistemi në normalitet.  Ideja për themelimin e PSP-së ishte që t’i hetojë të gjitha indikacionet të cilat dilnin nga ato materiale të përgjuara  të marrin epilog institucional në PSP, e jo që këtë të shohim në përditshmëri në rrjetet sociale ose tregtimeve në çfarëdo lloj mënyre. Kjo është e papranueshme”, potencon Grubi. (koha.mk)