Shkup, 30 janar – Kryetari i Komisionit për çështje evropiane në Kuvendin e Maqedonisë Artan Grubi, u takua me ambasadoren austriake Renate Koblwr, ku e ka informuar se koalicioni qeveritar punon me përkushtim në reformat me qëllim në Raportin vjetor për vendin në prill, të hiqet kushtëzimi i rekomandimit për fillimin e negociatave për anëtarësimin tonë në BE, ndërsa në qershor Këshilli në Sofje ta konfirmojë këtë rekomandim.
Ai ka përkujtuar se edhe në këtë drejtim Kuvendi e ka ratifikuar Marrëveshjen për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bullgarinë, ka miratuar shumë nga ligjet e reformave, si dhe në vijim janë negociatat për zgjidhjen e kontestit me emrin me Greqinë, dhe se përmbyllet pjesa normative e Marrëveshjes së Ohrit.
“Grubi ka theksuar se Maqedonia pret gjatë kryesimit austriak fillimin e hapjes së kapitullit. Lidhur me rastin me ligjin për gjuhët, theksoi se opozita vazhdon me politikën destruktive dhe për fat të keq ka mbetur e robëruar në kohën e të kaluarës së saj pothuajse të palavdishme duke treguar jokompatibilitet dhe moskuptim të të sotmes dhe pritjet e qytetarëve”, informojnë nga Komisioni.
Grubi ka shtuar se shteti është para sfidave të mëdha historike dhe ja nevojë nga opozitë përgjegjëse.
Ambasadorja Kobler e ka informuar për përgatitjet për kryesimin austriak me BE-në, që fillon në gjysmën e dytë të këtij viti, me ç’rast e ka konfirmuar mbështetjen e Austrisë për proceset euro-integruese të Maqedonisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ajo ka theksuar se edhe Austria do ta vazhdojë politikën për zgjerim të BE-së me vendet e këtij rajoni, me çfarë shtetet do të përforcohen, ndërsa me të edhe e gjithë BE-ja.