Shkup, 12 maj – Në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) zgjedhjen Stevo Pendarovskit për president ia uroi deputeti Artan Grubi, i cili e përshëndeti edhe fjalimin e shefit të ri të shtetit në Kuvend.
“Në emër të të gjithë neve i dëshiroj punë të suksesshme, shëndet dhe ta kryesojë pajtimin e madh që duhet të ekzistojë midis të gjitha partive politike, të gjithë faktorëve politik dhe të gjithë liderëve në vendin tonë. Shpresoj se pas dhjetë vitesh të qeverisjes së Ivanovit si president, do të shohim kohëra më pozitive, në të cilat i gjithë shteti me të gjitha kapacitetet – edhe Kuvendi, edhe Qeveria, edhe Presidenti edhe komunat do të jenë të orientuara nga Perëndimi dhe se do të ketë sukses një orë më parë të merret datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe ta përmbyllim anëtarësimin e plotë në NATO”, theksoi Grubi.
I pyetur për koment pas deklaratës së deputetit Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE, sipas së cilit për mbështetjen e Pendarovskit në zgjedhje “BDI do t’i japë fatura LSDM-së”, Grubi u përgjigj: “Pendarovski është kandidat i yni dhe vlerësojmë se jemi faktor vendimmarrës në fitoren e tij dhe nuk ka se pse të japim fatura për kandidatin tonë i cili fitoi në këto zgjedhje”.
“Fatura më e madhe që është dërguar është konsensualiteti dhe ajo që fituan politikat e Ahmetit dhe BDI-së të cilat jemi duke i promovuar nga viti 2014. Faturë më të madhe se kjo nuk mund të ekzistojë”, shtoi deputeti i BDI-së.
Për koment për mungesën e Zoran Zaevit në seancën solemne, ai tha të pyetet kryeministri dhe partia e tij amë.
“Zoti Ahmeti ishte sot këtu dhe e ndoqëm fjalimin e kandidatit tonë të përbashkët”, tha Grubi në deklaratë për mediat.