Shkup, 22 janar – Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Artan Grubi, pati takim me Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, Majlinda Bregu, e cila e mori këtë funksion në fillim të këtij viti, njofton Koha.
Në këtë takim, siç citohet në njoftimin zyrtar, Grubi informoi për ngjarjet më të reja në vend, me vështrim të veçantë në realizimin e Marrëveshjes së Prespës dhe miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, me të cilën u tejkalua kontesti shumëvjeçar me emrin me Republikën e Greqisë, si dhe Marrëveshjen e vitit të kaluar për fqinjësi të mirë dhe miqësi me Republikën e Bullgarisë, me çka i vërtetuam angazhimet tona për kultivimin e marrëdhënieve të mira me të gjithë fqinjët tanë, si parakusht i rëndësishëm për prosperitetin dhe zhvillimin.
Në lidhje me realizimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Grubi, theksoi se me hyrjen në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, u rrumbullakësua i gjithë zbatimi i Marrëveshjes, dhe se në rrjedhë është përforcimi i kapaciteteve administrative dhe teknike për zbatimin e saj praktik. Për punën e Komisionit për Çështje Evropiane, theksoi se është për t’u përshëndetur që në Komision u arrit konsensusi për çështjet e BE-së ndërmjet opozitës dhe pozitës.
Nga ana tjetër, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, Majlinda Bregu, duke biseduar për aktivitetet e planifikuara të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, funksioni kryesor i të cilit është përgatitja dhe krijimi i projekteve zhvillimore dhe krijimi i klimës politike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendeve të EJL-së, theksoi, se ajo si Sekretare e Përgjithshme edhe më tutje do të angazhohet për ndihmën aktive të vendeve në rajon për afrimin e tyre në strukturat euroatlantike. Në këtë kontekst, theksoi, se vëmendje të veçantë do t’i kushtojë përforcimit të bashkëpunimit të Këshillit me parlamentet në rajon, si dhe për bashkëpunimin e tyre reciprok.
Në takim, i përbashkët ishte konstatimi se për aderimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, së pari, me rëndësi është të arrihet sundimi i së drejtës në vendet, në çka në periudhën e kaluar duhet në mënyrë më intensive të punohet.