Shkup, 15 tetor – Prioritet absolut dhe i pa kompromis i BDI-së është drejtësia joselektive, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe sundimi i së drejtës. Prandaj në emër të partisë e përshëndes vendimin e sotëm të zëvendësministrit të Shëndetësisë, Asim Musa të tërhiqet nga pozita e vet, deklaroi sot para Parlamentit, sekretari i BDI-së, Artan Grubi.
Partneriteti me mediumet, siç tha, është mënyra më e mirë ta çrrënjosim këtë të keqe nga shoqëria jonë.
Duke u përgjigjur në pyetjen nëse i beson zëvendësministrit të Shëndetësisë se nuk është fajtor dhe i kurdisur, Grubi tha se ajo çështje tashmë është absolvuar. “Me vetë tërheqjen e tij, edhe për ne edhe për institucionet tashmë është zgjidhur ai rast dhe shpresoj se ai vetë do të arrijë ta heqë atë njollë nga karriera e vet, me rrjedhën e mëtutjeshme të aktiviteteve të tij”, tha Grubi.
“Shteti ynë meriton datë për fillim të negociatave me BE-në. Bëmë gjithçka mundëm dhe gjithçka kërkoi Brukseli nga ne. Komisari Johanes Han në tuitet e tij tha se Maqedonia ka bërë edhe më shumë se sa kërkoi Brukseli dhe prandaj i ka përmbushur absolutisht të gjitha kushtet për fillim të negociatave. Unë shpresoj se liderët e vendeve anëtare të BE-së do ta tejkalojnë veten dhe do të sjellin vendim shtetëror, vizionar për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse në pyetje nuk është vetëm shteti ynë, por i tërë rajoni dhe perspektiva jonë euroatlantike. Shpresoj se për shkak të kalkulimeve të tyre të brendshme politike, partiake nuk do të sjellin vendim të gabuar dhe ta lënë Ballkanin Perëndimor sërish në sallën e pritjes së BE-së”, deklaroi Grubi.
I pyetur nëse kjo mund të ndikojë në datën për zgjedhje dhe se kryeministri tashmë si datë e paralajmëroi tetorin e vitit 2020, Grubi tha se në politikë asgjë nuk është e parashikueshme dhe shtoi se “asgjë nuk mund të thuhet me siguri se do të ndodhë nesër”.
“Të presim. Shpresoj se të gjithë do t’i gëzohemi datës. TË gjithë i gëzohemi anëtarësimit në NATO, shpresoj se do të përfundojë deri në fund të këtij viti, më së voni deri në mars të vitit të ardhshëm për shkak të rrethanave në Spanjë dhe në vende të tjera, por, konsideroj se prioritet absolut tani për tani të na mbetet anëtarësimi në NATO dhe fillimi i negociatave me BE-në. GJithçka tjetër është e një rëndësie dytësore”, theksoi Grubi.