Po e akuzove për seksizëm, të rrxon në gjyq! Po e akuzove për zoofilizëm, të then hundë, sepse ka të drejtë t’iu atribuohet fetisheve vetanake seksuale! Me një fjalë, t’ka kap nge! Hyp se të vrava, zhdryp se të vrava ! Po del se në shkollën e zotërisë që flet me aq pasion ligjëratën mbi “Gruan si KALI”, gruaja duhet të jetë kokulura, ndërsa burri duhet të jetë ai që dominon, ai që i hyp kalit dhe ia dirigjon frenat! Iha, ihaaaa…!
Nga Adelina MARKU
Nuk jemi ne lule për të marrë erë jo, jemi të dhunshëm ndaj grave dhe vajzave, ndaj nënave! Për më shumë edhe seksistë! Edhe zoofila?! Ndoshta, ndoshta, çka s’bën vaki! Ka një fjalë të re që e përdor sot shkenca sociale, e quajnë femicid fenomenin e dhunës ndaj grave e vajzave!
E ke menduar ndonjëherë i/e nderuar lexues/e këtë që e konstatova më lartë? Pse burrat janë kaq të dhunshëm? A është dhuna shpërthim primitivizmi? Frojdi do e lidhte dhunën (fiziken dhe psikiken) si pasojë e fëmijërisë së dhunshme fillimisht, pastaj me subkoshiencen e që mbasandej të del tek lidhja/raporti me paaftësinë seksuale të mashkullit të dhunshëm, me komplekset fallusiane tek ai, me neurozën nga dimensioni (ah i madh – uh i vogël!?), me fuqinë, me narcizmin fallusian, me fetish fantazish zoofilie biles… Sigurisht që këtij konteksti ai do ia shtonte si ndikim edhe presionin social, kontekstin politik e ekonomik si dhe përmasat e hapësirave individuale intelektuale padyshim. Por unë nuk dua t’i numëroj arsyet që të çojnë në simptomatologjinë dhunë, ato nuk i përbuz padyshim, por eksperte mbi dhunën nuk e mbaj veten pale!
Para do ditësh, përmes viber-it një miku im më qarkulloi një konstatim krahasues mbi gruan nga një njeri që mban të drejtën e mikrofonit e shndërrohet në medium! Ky, ka publikun e tij! Thoshte ky i biri i botës që mbante mikrofonin në dorë, thoshte njikshtu: “Gruja është sikur kali” – nuk mjaftonte me kaq dhe prapë e përsëriste: “gruja është sikur kali, nëse e ka një burrë që din me e frenu, gruja e respekton, nëse e ka një burr që nuk din me e frenu, kali çoroditet dhe mund t’a rrxon dmthn prej shpinës së vet…”. Për më shumë, ky folësi është një djalosh goxha i pashëm, me një shqipe goxha të bindshme, biles biles është hoxhë, ose të paktën ashtu e mban veten. Jo, e ke gabim, nuk do merrem me hoxhën e kësaj shkolle fetare ku gratë/nënat i krahasojnë me kalin, sepse padyshim me djalin me mikrofon në dorë dukshëm mendojmë ndryshe! Ojjj nan bre, nuk përkitemi askund heu burrë dheu!!!
Sigurisht që, nga kjo perspektivë ku koncepti mbi të drejtat e liritë e njeriut e mbi shprehjen e mendimit të lirë dita-ditës po shndërrohet në një dilemë të tipit që ngre kontradikta, po del se unë ndoshta edhe me pa të drejtë e gjykoj mbrapsht hoxhën më lartë, sepse ky, i biri i botës, thirret në të drejtën e të menduarit fetar të asaj shkolle ku ka mësuar mbi interpretimin fetar kapitullin: GRUAJA!
Legjitime për më shumë! Po e akuzove për seksizëm, të rrxon në gjyq! Po e akuzove për zoofilizëm, të then hundë, sepse ka të drejtë t’iu atribuohet fetisheve vetanake seksuale! Me një fjalë, t’ka kap nge! Hyp se të vrava, zhdryp se të vrava ! Po del se në shkollën e zotërisë që flet me aq pasion ligjëratën mbi “Gruan si KALI”, gruaja duhet të jetë kokulura, ndërsa burri duhet të jetë ai që dominon, ai që i hyp kalit dhe ia dirigjon frenat! Iha, ihaaaa…! Ashtu, ky burri i hypun mbi gruan-kalë, e ndjen dhe fallusin e vet ndoshta më të eksituar, më produktiv dhe për më shumë “me të drejtë”, agresiv sa herë që gruaja-kali nuk iu nënshtrohet urdhrave të tij! Ndërsa dilema ime është difuze, t’dërmon: Ç’burrë është ai që ka pasion kaq posesiv ndaj një grua si-kali!? Ose ç’hoxhë është ai që bën një krahasim të këtillë? Ç’brendi intime paska ky klerik fetar a thua? Sikaligruaja ç’fëmijë mund të edukojë a thu? Po ky, burri me afshe ndaj sikaligruaje çfarë shpërthimesh erotike mundet me pas?! Oh ….ia shkrepi ballit tim një shuplakë që dyndddd! Si mund të dukeshin përgjigjet e mia!!!!
Miq, mikesha, jetojmë në kohëra kur nuk ia merr dot për të madhe sihoxhës kur institucionet kanë dështuar në misionin e tyre! Ashtu edhe Bashkësia Fetare Islame fetare në Maqedoni! Me gjasë BFI po del institucion i dështuar, sepse ka shumë gjatë kohë që është në dimension mohimi! Të paktën unë e shoh prezencën e këtij institucioni në sipërfaqësi formale, por fatkeqësisht të humbur e të hutuar para retorikës “neo” mbi fenë! Kjo neo-retorikë fetare fatkeqësisht e arsyeton edhe dhunën prandaj ekstremizmin! Sigurisht që kjo neo-retorikë fetare ka edhe mision indoktrinues dhe po analizove terrenin, lemerisesh! Të nderuar/a, e vërteta është se Bashkësia Fetare Islame është ajo që duhet të reagojë ndaj këtyre klerikëve që flasin broçkulla e nuk jam unë ajo që duhet të reagoj! Por, BFI është në MOHIM! Në “denial”! Dhe, ky dimension, MOHIMI i BFI-së e lejon interpretimin injorant të fesë e për më shumë, e lejon masivisht ushqimin e shtresave sociale me këtë lloj interpretimi!
Sepse BFI thotë: “Hajt bre se ata janë të pa ndikim. Ata nuk janë tanët! Ne jemi kolosët këtu! Ne …ne …ne…!” Ah, Frojd o Frojd! Oh dhe, BFI harron se sot, secili që mban mikrofon në dorë – ushtron ndikim! Për më shumë harron se, përmes këtij ndikimi të zhbën aty për aty edhe misionin e BFI-së! Sepse, është epoka ku diktohet “neo” interpretimi i të drejtave dhe lirive të njeriut e në këtë kontekst, edhe krahasimi i gruas me kalin duket i pranueshëm!!! Ose më saktë, krahasimi i NËNËS ME KALIN!
Sot, dorën në zemër, nëpër xhami e kisha prisja që klerikët, të gjithë njëzëri: hoxhallarë e priftërinj, të flisnin për rëndësinë e ratifikimit të Konventës së Stambollit të Këshillit të Evropës, konventë kjo që lufton dhunën ndaj gruas e vajzave dhe dhunën në familje! A ka hoxhë që ka lexuar këtë Konventë? Po prift a ka? Jo jo, nuk jam budalla unë që kam një pritje të këtillë, unë vërtet dua që klerikët fetarë t’i shoh të ndjekin ndryshimet sociale e kontekstin politik për t’i shtuar atij humanizmin dhe solidaritetin si vlerë!
Ecni me kohën BFI! Ju lus! Ju lus! Se na morët në qafë bashkë me politikanët! Jeni në mohim kokë-e-këmbë! Do bëhet shumë vonë…oh , kam frikë se kemi hy keq në – VONË!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)