Gruaja shqiptare të lirohet nga skllavëria e paragjykimeve

Shqiptari i Maqedonisë si qytetarë është shqiptari më i vuajtur pas atij të Kosovës Lindore, më i vuajtur në aspekt të respektimit të dinjitetit të tij, të të ndjerit i dobishëm dhe i barabartë, dhe të gjitha ato që i ka arritur deri më tani, i ka arritur me shumë mund e sakrificë duke u flijuar breza e gjenerata të tëra

897

Delvina KËRLUKU

Lindita Qazimi u lindi më 5 shkurt të vitit 1982, në Tetovë. Arsimin fillorë e kreu në shkollën “Ismail Qemali”, në fshatin Nerasht, të mesmen në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” – Tetovë. Diplomoi në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Arteve, Universiteti i Tetovës. Ajo vazhdoi trajnimet për ngritjen e saj profesionale në disa organizata ndërkombëtare, si në Gjermani, Angli, etj. Nga viti 2005 -2008 punoi arsimtare në Shkollën fillore “Ismail Qemali” – Nerasht, Tetovë. Në vitin 2008 zgjidhet deputete në Parlamentin e Maqedonisë. Pastaj merr pozitën e zëvendës ministrit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Në vitin 2011 emërohet drejtore në Qendrën për arsimin e të rriturve. Ka punuar si Koordinator Nacional për Maqedoninë, për implementimin e agjendës evropiane për arsimin e të rriturve. Pjesëmarrëse në projekte, seminare, vizita studimore, simpoziume, konferenca brenda dhe jashtë vendi.

KOHA: Një ide sa më të qartë rreth asaj që quajmë “ngritje arsimore e femrës”?

QAZIMI: Arsimi është një nga sferat bazë nëpër të cilën kalon njeriu si individ, qoftë mashkull apo femër, sfera ku fillon perceptimi dhe kuptimi i tij mbi gjithçka që e rrethon, formësimi i tij mbi bazën e asaj që ofron shkolla, nga të nxënurit fillestar e deri te formimi, si personalitet dhe kuptimi mbi jetën në tërësi. Mendoj dhe besoj se arsimi sot ofron mundësi të barabarta si për meshkujt ashtu dhe për femrat, se si do t’i qasemi pastaj ne dhe sa do arrijmë që të gjitha ato që na ofron sistemi arsimor, t’i shfrytëzojmë për përparimin dhe zhvillimin tonë të mëtutjeshëm si qenie njerëzore, e në rastin konkret si femra qoftë për të kontribuar për shoqërinë në përgjithësi, varet vetëm nga ne, nga qëllimi që kemi vënë para vetes dhe sa guxim, dëshirë e vullnet kemi për ta realizuar atë qëllim. Ndoshta rruga e femrës drejtë realizimit të qëllimit e synimeve të saja mund të jetë më me shumë peripeci, pengesa e vështirësi por, me ngritje arsimore të saj nuk dua të nënkuptoj vetëm atë kornizë formale që arrihet me kalimin e të gjitha shkallëve të sistemit arsimorë, e që rrumbullakohet me marrjen e një dokumenti që do përcaktonte vetëm statusin arsimor të saj, por edhe ngritje të vetëdijes së saj për atë që ajo përfaqëson në një shoqëri, mënyrën e të menduarit të saj rreth proceseve e fenomeneve të ndryshme shoqërore, kontributin dhe angazhimin e saj në sfera të ndryshme, vizionin dhe misionin e saj për jetën dhe mbi të gjitha vlerësimin e saj për veten dhe rolin që ka qoftë në familje qoftë në shoqëri në përgjithësi. Ngritjen arsimore të saj, nuk do më pëlqente ta shihja vetëm nën prizmin e ngritjes profesionale të saj por edhe në ngritjen edukative dhe të botëkuptimeve të saja, sepse besoj se vetëm në këtë mënyre do të mund të ngrysim shoqërinë dhe Kombin në përgjithësi.

KOHA: Për lindjen dhe zhvillimin e trajtimit të pabarabartë të grave, duhet kërkuar në rrënjët e patriarkatit. Ideja se shoqëria patriarkale me gjithë shkallëzimet dhe formësimet e ndryshme, ka ekzistuar gjithnjë? Vazhdon të qëndrojë kokë-fortë?

QAZIMI: Tani edhe gratë edhe burrat janë qenie njerëzore të lindur të lirë dhe si të tillë në parim duhet të ndjehen të barabartë. Me krijimin e familjes si institucion krijohen edhe raportet familjare, raportet burrë – grua, mënyra e funksionimit dhe rregullimit të atyre raporteve. Në të kaluarën veçanërisht në shoqëritë më të pazhvilluara dhe në ato në zhvillim e sipër disbalancimi i këtij raporti d.m.th mes burrit e gruas, ka qenë më i thelluar, më i shprehur, por a vazhdon ky raport edhe sot me premisa patriarkati?! Sigurisht që po, sidomos në aspektin e bajraktarizmit apo individualizimit të tepruar që shprehet nëpërmjet nevojës dhe dëshirës për të sunduar me të tjerët me parime: vetëm si të them unë, e në këtë rast tjetri nënçmohet, nënshtrohet, objektivizohet, keqtrajtohet, sidomos bota femërore dhe fëmijët. Por, edhe pse familja shqiptare historikisht kryesisht ishte patriarkale, që sot ky epitet të jetë më i zbehur dhe mos qëndrojë aq kokë-fortë, kanë ndikuar shumë faktorë duke filluar nga arsimimi i femrës, angazhimi i saj si kontribuuese e drejtpërdrejtë në aspektin material për përkujdesje ndaj familjes, kyçja e saj në jetën publike, pra femrat si qenie familjare dhe shoqërore janë pjesë aktive e saj, ato më nuk pranojnë në mënyrë pasive rolet e caktuara si dikur dhe nga dikush, por kërkojnë lirinë e përcaktimeve dhe përgjegjësinë e jetës dhe të veprimeve. Kjo fazë kalimtare mes familjes patriarkale dhe asaj më të moderuar, nëse mund ta quajmë kështu, është mjaftë e vështirë dhe me plotë sfida dhe rreziqe, sidomos kur kemi parasysh atë se çka kaluar shoqëria jonë në të kaluarën dhe me çka është përballur familja shqiptare. Ajo çka ngelet për të punuar dhe angazhuar më shumë në të ardhmen në këtë kontekst është formimi i identitetit personal në kudër të familjes, si parakusht për marrëdhënie të suksesshme ndër personale, edukim më të madh për liri e përgjegjësi, për vlera e virtyte me orientime dhe përcaktime të qarta, edukim për komunikim, për afrime, bashkime , bisedime e dialog.

KOHA: Kemi akte ligjore të harmonizuara edhe me akte ndërkombëtare, si dhe mekanizma tjerë që janë krijuar për të mbrojtur të drejtën e femrës. Por, ne duhet të punojmë më shumë për të fuqizuar akoma më shumë rolin e gruas në shoqërinë tonë? Si?

QAZIMI: Mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriut janë shtyllë kryesore në funksionimin normal të shteteve demokratike, sepse nga respektimi i të drejtave dhe lirive, që nënkupton dhe të drejtat e femrës, varet drejtpërsëdrejti zhvillimi politikë, ekonomik dhe juridik i një shteti demokratik. Këtë e kanë dëshmuar shtetet evropiane sidomos ato skandinave ku nga respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, janë shtetet më të fuqishme ekonomike, sociale dhe demokratike. Maqedonia si nënshkruese e disa ligjeve dhe akteve ndërkombëtare që kanë të bëjnë më të drejtat dhe liritë e njeriut, dhe si shtet që nesër pretendon të jete pjesë e familjes së madhe evropiane, duhet që këto akte ti vë në zbatim sa më të gjerë, e të drejtë, sepse përvoja dhe e kaluara tregon se në masë të madhe kemi hasur shkelje të këtyre të drejtave. Kur jemi konkretisht te fuqizimi i rolit të gruas në shoqërinë e në shtetin tonë, hapi i parë që duhet bërë është respektimi i ligjeve që ka sjellë vetë shteti, e që kanë të bëjnë me avancimin e statusit të gruas në shoqëri, me angazhimin e saj në jetën publike e politike, respektimi i kuotave të parapara rreth angazhimit të saj, përkrahja dhe mbështetja e saj për të qenë pjesë e sistemit dhe institucioneve shtetërore etj. Kur jemi te roli i gruas shqiptare, në veçanti ajo që i ka munguar më së shumti dhe vazhdon t’i mungojë, është përkrahja morale dhe lirimi i saj nga skllavëria e paragjykimeve, si pjesë e mentalitetit tonë. Që të fuqizojmë rolin e saj duhet nisur nga këto dy shtylla që përmenda, pra mbështetja morale-lirimi nga paragjykimet, që pastaj lehtësisht dhe natyrshëm të merr rolin e saj që i takon dhe të ngjis shkallët e zhvillimit të barabartë. Këtu do të doja të citojë fjalët e Hillary Clinton: “ Besoj se mbrojtja e të drejtave të femrave është kapitull i pambyllur i shekullit XXI”.

KOHA: Në diskursin zyrtar politik të BE-së, barazia gjinore është “koncept që do të thotë se të gjitha qeniet njerëzore janë të lire të zhvillojnë aftësitë e tyre personale dhe të bëjnë zgjedhje pa kufizime të vendosura nga rolet strikte gjinore; që sjelljet e ndryshme, dëshirat dhe nevojat e grave dhe burrave të merren në konsiderate në mënyrë të barabartë, të vlerësohen dhe të mbështeten. Femra shqiptare çështjen kryesor ka procesin edukativo – arsimor?

QAZIMI: Barazia gjinore është një ndër vlerat themelore të zhvillimit demokratik të shoqërisë prandaj dhe është detyrë e tërë shoqërisë që të mënjanojë pengesat duke garantuar sjellje, pozitë, mundësi dhe përfitime të barabarta për të dy gjinitë në të gjitha sferat e jetës. çdo trajtim jo i barabartë i një individi, në krahasim me një individ të gjinisë së kundërt, në rrethana të njëjta apo të ngjashme konsiderohet diskriminim i drejtpërdrejtë gjinorë. Sa i përket barazisë se femrave shqiptare në raport me meshkujt, së pari me duhet të them se nuk pajtohem me konstatimin tuaj se femra shqiptare rol kryesorë ka vetëm në fushën e arsimit duke qenë vetëm bartëse e procesit edukativo-arsimore, këtë konstatim e bazoj në shumë fakte e argumente se femra shqiptare si këtu tek ne, si në gjitha trojet tjera shqiptare edhe më gjerë, ka arritur të jetë pjesë edhe e sferave tjera si ajo politike, kulturore, sfera e artit, sportit dhe me shumë dinjitet të na përfaqësoj si Komb edhe në arenën Ndërkombëtare. Por, gjithsesi për të arritur të merituarën, femrës shqiptare i duhet edhe më shumë angazhim, vetëbesim e guxim, pse e them këtë, për nga natyra nuk jam edhe aq feministe dhe nuk parapëlqej shumë fushatat që realizohen në këtë drejtim, sepse që në momentin që kërkojmë një diçka duke u bazuar vetëm në faktin se jemi femra, që këtu mendoj se me automatizëm pranojmë mosbarazinë karshi gjinisë së kundërt, por jam ithtarë e asaj që ne duhet të na takoj diçka, sepse dimë dhe mundimi, ashtu si nuk duhet takuar dhe besuar një diçka dikujt vetëm për shkak se është mashkull, prandaj duhet luftuar për atë që na takon me dinjitet, dije, aftësi e mençuri, jo bazuar në dallimet gjinore. Autorja Nancy Rathbur thotë se: – Një femër e fortë e kupton se logjika, vendosmëria dhe fuqia janë po aq femërore sa intuita dhe lidhja emocionale. Ajo i vlerëson dhe i përdor të gjitha këto dhunti.

KOHA: Deklaratat tuaja në mediat tona kanë qenë për një arsim më të avancuar. Sot në ç‘gjendje e shihni arsimin shqip?

QAZIMI: Arsimi shqip gjatë historisë ka kaluar nëpër etapa të diskriminimit e vështirësi të ndryshme, por gjithmonë në luftë për të arritur më të mirën për shkollën shqipe, si shtyllë për të pasur një komb sa më të dinjitetshëm dhe me vlera të mirëfillta. Edhe me krijim e Maqedonisë si shtet i pavarur, nuk është se mbaroi golgota e padrejtësive rreth arsimit shqip dhe bashkësisë më të madhe etnike ne vend, sidomos kur kemi për bazë faktin se kishim dhe vazhdojmë të kemi arsim të ndarë mbi baza etnike. Por, pas 2001 dhe me decentralizimin e arsimit në vitin 2005, gjërat filluan të lëvizin për sëmbari dhe avancimi i arsimit shqip, filloi të lëviz me hapa më të shpejt e më të mëdhenj, ku për bazë marrë edhe mundësin për arsimim të lartë në gjuhën shqipe, e drejtë e mohuar para kësaj periudhe. Është bërë shumë në formë, por ka ngelur edhe shumë për tu bërë në përmbajtje, çka nënkuptojmë me këtë, kemi kushte shumë më të mira për realizim të procesit mësimorë se në të kaluarën , zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë e ka bërë të veten, por ngecim në përmbajtje, në kualitet, në mënyrën se si e realizojmë procesin mësimorë dhe ngulfatjen me ndikimin politikë, që i bëhet arsimit. Ajo që më shqetëson për momentin dhe që uroj të përmirësohet në të ardhmen është që shkollat, arsimi në përgjithësi shihet si ent për punësim apo qendër sociale, e jo si sfera apo vendi me shumë përgjegjësi, ku duhet orientuar resurset dhe kuadrot më kualitativ, që duhet bërë me shumë dashuri si profesion, dhe se është fusha ku përgatiten brezat e ardhshëm që nënkupton edhe fusha ku përgatitet e ardhmja e një Kombi. E gjitha kjo ndodhë, për shkak të mundësive të dobëta që ofron shteti ne aspektin ekonomik e social për integrimin e të rinjve në tregun e punës. Kjo është ajo që pres të fokusohemi e përmirësohet në të ardhmen, nëse duam të jemi aty ku pretendojmë të jemi, si Komb me gjithë ato sakrifica.

KOHA: Në disa pjesë të Maqedonisë Lindore mungojnë shkollat shqipe, ndërsa shqiptarët mësojnë në gjuhë maqedonase. Si arsyetohet kjo?

QAZIMI: Çështja e shqiptarëve të asaj pjese ka qenë më specifike gjithmonë e determinuar nga shumë faktorë të cilët të gjithë i dimë, por me arsimin e mesëm të obligueshëm u ndikua pozitivisht edhe në arsimin fillorë në ato pjesë ku shqiptarët janë pakicë, dhe duke u nisur nga e drejta ligjore e arsimimit në gjuhën amtare një situatë e tillë nuk duhet të ndodhë, nëse ende vazhdojnë të jenë prezent raste të tilla, besoj se më së shumti ka të bëjë nga mungesa e kuadrit adekuat, mungesa e kushteve të mirëfillta për arsimtarët që të mund kuadri të kompensohet nga vendet tjera, kuptohet këtu nuk mund të amnistohet Pushteti lokal së bashku me Ministrinë e Arsimit. Nga viti 2008 kemi rritje të numrit të paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, flas për vende e paralele ku deri në atë kohë ishte mësuar në gjuhën maqedonase, shembull konkret mund të përmend hapjen e paraleles se muzikës në gjuhën shqipe në Shkup, pas 45 vjetëve. Por, nëse vazhdon ende një problematikë e këtillë, tani janë krijuar rrethana tjera, besoj më të mira dhe Ministria do të duhej të përpilojë ndonjë strategji konkrete për ti tejkaluar këto barriera.

KOHA: Si e shihni punën e një shqiptari në Maqedoni. A flasin shumë në foltore dhe pak veprojnë?

QAZIMI: Shqiptari i Maqedonisë si qytetarë është shqiptari më i vuajtur pas atij të Kosovës Lindore, më i vuajtur në aspekt të respektimit të dinjitetit të tij, të të ndjerit i dobishëm dhe i barabartë, dhe të gjitha ato që i ka arritur deri më tani, i ka arritur me shumë mund e sakrificë duke u flijuar breza e gjenerata të tëra. Nisur nga e kaluara, lirisht mund të them se me shumë vigjilencë e mençuri ka ditur kur të flas, kur të hesht e kur të vepron, këtë e dëshmon ajo që gjithmonë ka ditë që të kap momentin se kur duhet vepruar dhe si! E, kur jemi te shqiptari në politikë duhet të flasë atë që mendon dhe të bënë atë që flet, kur ajo që flet është e koordinuar me qëllimin dhe veprimin, suksesi është i pamohueshëm. Ajo që është arritur është arritur dhe nuk duhet mohuar, se atëherë mohojmë vetveten, për tu ndje edhe më të vlefshëm duhet parë në radhë të parë nga vetja, sepse duke ndryshuar secili nga ne në kontekst të zhvillimit e përparimit individual, kemi kontribuar në ndryshimin dhe përparimin edhe në tërësi si popull, drejtë integrimit sa më të madh në institucionet e sistemit.

KOHA: Edhe unë bashkangjitem me këtë shprehje të gazetarit: ”Politika shqiptare i ngurtëson protagonistët e saj; thekson e nxjerr në pah agresivitetin, ironinë, akuzën, sfidën dhe përballen me kundërshtarin deri në kufijtë e të palejuarës”. Pra, si mendoni?

QAZIMI: Krahas angazhimeve të mia ditore me punën, mundohem të përcjellë edhe ngjarjet që ndodhin në trojet tjera shqiptare qofshin ato politike, kulturore e arsimore, shpesh ndjek debate e emisione te ndryshme, lexoj opinione nga opiononistë te ndryshëm, thënia në fjalë ka për autor, Blendi Fevziun, pa diskutim një ndër gazetarët dhe autorët më të mirë, e cila më la përshtypje dhe të cilën e citova në rrjetet sociale, më la përshtypje sepse realisht më dha pasqyrën e politikës shqiptare, pasqyrë që shumë vështirë thyhet apo na paraqet ndryshe nga seç jemi. Politika për mendimin tim paraqet dhe duhet të paraqet së pari njerzillëk, shkencë me vet faktin se është fushë veprimi e njeriut, dhe njeriu duhet te ketë një kufi mes të lejuarës dhe të palejuarës edhe në politikë. Fatkeqësisht ende vazhdon të jetë arenë gladiatorësh në vend që të jetë arenë ku do mbizotërojë argumenti dhe respekti për kundërshtarin. Qasja e deritashme ka bërë që brezat e rinj ta shohin me skepticizëm angazhimin, dhe në vend që të rrisim motivimin, kemi rritur pesimizmin.

KOHA: Edukimi është një dhuratë, të cilën askush nuk mund të na e marrë tutje. Si u rritët dhe edukuat, si u shkolluat?

QAZIMI: Edukimi është dhurata e cila bazën e ka në familje, pra si rrugëtim fillon me edukimin familjar duke vazhduar pastaj me edukimin si nocion edhe më i gjerë. Është një dhuratë që na e bëjnë prindërit tanë me shumë mund e sakrificë, veçanërisht prindërit shqiptare, dhe për të cilën gjë unë u jam shumë mirënjohëse së pari prindërve të mi, mësueseve të mi, pa mundin, mbështetjen dhe sakrificën e të cilëve nuk do isha kjo që jam sot. Unë jam rritë në një familje tipike shqiptare, jemi gjithsej 5 fëmijë, unë jam fëmija e parë e familjes, të gjithë të shkolluar e arsimuar me shumë sakrificë nga prindi im. Shkollën fillore e kam kryer ne filloren “Ismail Qemali”, në fsh. Nerasht, arsimin e mesëm në Gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq” , kurse arsimin e lartë në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Arteve, pranë Universitetit të Tetovës, po ashtu jam në përgatitje të temës se masterit, po në të njëjtin fakultet, rreth arsimit jo formal për të rritur, segment ku edhe punoj dhe jam e angazhuar për momentin.

KOHA: Si nisi puna juaj e parë?

QAZIMI: Pas mbarimit të studimeve në vitin 2004, për herë të parë jam punësuar në vitin 2005, si arsimtare në shkollën fillore “Ismail Qemali”, përndryshe jam pedagoge e diplomuar, aty kam punuar deri në vitin 2008, pastaj po të njëjtin vit në moshën 26 vjeçare jam zgjedhur deputete në Parlamentin e Maqedonisë pranë Bashkimit Demokratikë për Integrim dhe në korrik të të njëjtit vit jam emëruar zëvendësministre e Arsimit (2008-2011), kam qenë femra e parë nga radhët e BDI-së që kam qenë pjesë e ekzekutivit. Dhe nga 2011 e deri më tani jam drejtoreshë në Qendrën për arsimin e të rriturve.

KOHA: Sa rëndësi ka familja, shoqëria dhe vetë jeta?

QAZIMI: Çerdhja, vendi ku pranohemi me të gjitha të mirat dhe dobësitë që kemi, pa dyshim që është familja, është institucioni ku ndjejmë më së shumti rahatin shpirtërorë, por njëkohësisht më se lehti shprehim edhe shqetësimet tona, pika ime më e dobët për familjen dhe në familjen time do të ishte shëndeti i tyre, sepse fuqishëm besoj se po të kemi shëndetin çdo sfidë tjetër e jetës tejkalohet. Një pjesë tjetër e rëndësishme e jetës është edhe shoqëria dhe raporti me ta, sado që ndonjëherë mund të na duket vetmia shoku më i mirë, roli i saj për të cilën ke nevojë për biseda nga më të ndryshmet, debate nga përditshmëria, halle, ndihmesa nga më të ndryshmet, qoftë edhe për të pirë një kafe të rëndomtë është i pa zëvendësueshëm. Jeta është energjia jonë dhe qëllimet tona, pra me çfarë qëllimi e energjie i qasemi jetës ashtu dhe do ta ndjejmë dhe jetojmë atë. Pasuria më e madhe në jetë është një shpirt i rehatshëm, një paqe me veten, jo një diçka që duket e preket, por një diçka që ndjehet.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.