Një grua në Spanjë po përballet me autoritetet shtetërore prej 7 vjetësh, duke u përpjekur që t’i bindë ata se është gjallë. Kryerja e veprimeve të thjeshta, si ripërtëritja e lejes së qarkullimit, ose shkuarja tek mjeku, është për atë tani e pamundur sepse ka vdekur për shtetin që në vitin 2010. Lajmi është bërë i ditur nga një mjek, ku Juana Escudero Lezcano kishte shkuar të vizitohej nga problemet e veshkave. Gjatë kontrollit, mjeku i tha se ajo rezultonte e vdekur. Ndërkohë në varrezat e Malagas është varrosur një grua me të njëjtat të dhëna që korrespondojnë me Juana Escudero Lezcano, si; emri, mbiemri dhe data e lindjes. Gabimisht identiteti i saj i ishte dhënë të vdekurës. Një histori e çuditshme, pothuajse-pothuajse qesharake në fillim, por tashmë kanë kaluar 7 vjet dhe problemi ende nuk është zgjidhur, me të gjitha pengesat burokratike të përballjes me një jo të vdekur. Më pas gruaja kërkoi që të bëhej zhvarrimi dhe testi i ADN-së, në mënyrë që të vërtetonte se ajo ishte gjallë, por arkivoli ishte bosh sepse askush nuk kishte paguar për shërbimin dhe mbetjet e trupit ishin depozituar në një tjetër vend. Juana ende po vazhdon betejën me gjykatat për të vërtetuar se është e gjallë. “Për shtetin unë jam e vdekur, por për bankat jam gjallë. Duhet të paguaj kreditë e mia rregullisht, hipotekat dhe madje edhe sigurimin e jetës”.