Në realitet, Jeanne Pouchain shfaqet shumë e gjallë. Bindja e autoriteteve franceze për këtë fakt wshtw ndryshe nga Jeanne. Ajo ka provuar, por nuk ka arritur ta “dëshmojë” se është gjallë! Pasi u shpall e vdekur nga një gjykatë, Pouchain ka kaluar tre vjet duke u përpjekur që “të ringjallet” zyrtarisht. 58-vjeçarja nga Saint-Joseph, afër Lyonit të Francës, nuk ka ekzistuar në sytë e administratës së Francës që nga viti 2017, pas një mosmarrëveshje ligjore që përfshiu një ish-punonjës në kompaninë e saj të pastrimit. Avokati i saj, Sylvain Cormier, u habit me shpalljen “e vdekur” të klientes së tij.
“Është një histori e çmendur. Nuk mund ta besoja. Kurrë nuk kam menduar që një gjykatës do të shpallte dikë të vdekur pa certifikatë. Por paditësi pretendoi se zonja Pouchain kishte vdekur, pa dhënë ndonjë provë dhe të gjithë e besuan atë. Askush nuk e kontrolloi”, tha Cormier për AFP. Një gjykatë, në vitin 2004 kishte urdhëruar Jeanne Pouchain ta paguante ish-punëtorin me rreth 14.000 euro dëmshpërblim për një dëm që kishte ndodhur gjatë punës.
Meqenëse çështja ishte kundër kompanisë së saj dhe jo personalisht kundër Pouchain, vendimi nuk u zbatua kurrë. Në vitin 2009, ish-punonjësi paditi përsëri, por çështja u hodh jashtë gjykatës. Në vitin 2016, duke e besuar Pouchain të vdekur, një gjykatë apeli urdhëroi djalin dhe burrin e Pouchain të paguanin dëmet. Vitin pasues, punonjësi informoi gjykatën se letrat për ish-shefin e saj ishin pa përgjigje dhe se sigurisht, ajo kishte vdekur. Kështu, Pouchain u hoq nga të dhënat zyrtare, duke iu hequr karta e identitetit, leja e drejtimit, llogaria bankare, sigurimi shëndetësor dhe dokumente të tjera zyrtare të nevojshme që provonin – të paktën zyrtarisht – ekzistencën e saj.