GRUAJA QË FLUTURON! Kush është shefja e parë e të gjitha shërbimeve sekrete amerikane? (FOTO)

79

Avril Haines është emëruar nga presidenti Joe Biden drejtore e të gjitha shërbimeve sekrete amerikane. Në ekipin e Bidenit ajo ka biografinë më interesante

Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 qeveria amerikane erdhi në përfundim se ka munguar koordinimi i duhur mes shërbimeve sekrete amerikane për të luftuar rreziqet që kanosen nga terrorizmi. Për të koordinuar shërbimet e shumta ushtarake, civile, të brendshme dhe të jashtme, u vendos të krijohet posti i drejtorit të shërbimeve sekrete nacionale. Së fundi këtë post e kanë mbajtur Richard Grenell, i mirënjohur diplomat i dobët, por tepër ambicioz, dhe John Ratcliffe. Tani Joe Biden e ka emëruar në postin e koordinatores së shërbimeve sekrete Avril Haines. Ajo ka një biografi jashtëzakonisht interesante.

Haines është 51-vjeçare dhe është rritur në Neë York si fëmijë i vetëm, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në një portret. Si e re ajo u kujdes për të ëmën e saj, e cila vdiq kur Haines ishte sall 15-vjeçare. Pas përfundimit të shkollimit fillestar, ajo shkoi në Japoni dhe ndoqi trajnime në një akademi të xhudos. Atje mori rripin bojëkafe – shkalla e dytë për nga rëndësia në xhudo. Mandej Avril Haines u kthye në Chicago, ku studioi fizikë teorike. Krahas studimeve ajo restauroi një avion të vjetër, mësoi të fluturojë dhe deshi të kalojë Atlantikun me avion. Por për shkak të problemeve teknike me avionin “Cessna 310” ajo aterroi me Neëfoundland. Bashkë me të atëbotë ishte i dashuri i saj, i cili tani është burri i saj.

Pas kësaj aventure Avril Haines shkoi në Baltimore për të shkruar një punim doktorate, por brenda një viti hoqi dorë nga ky synim dhe hapi një librari. Në qytet libraria ishte e njohur, mes tjerash, edhe për një koleksion të gjerë të literaturës erotike. Pas librarisë Haines iu kthye sërish universitetit dhe studioi drejtësi. Tek pastaj ajo filloi të punojë në administratën shtetërore, së pari në ministrinë e Jashtme, mandej në Senat, ku u njoftua me Joe Bidenin dhe më 2008 iu bashkua ekipit të tij pas zgjedhjes së Barack Obamës president dhe Bidenit nënpresident. Në këtë qeveri Avril Haines punoi në Këshillin për Siguri Nacionale, pastaj u bë zëvendësdrejtori e CIA dhe më vonë zëvendëse e këshilltarit për siguri nacionale. Në katër vitet e fundit ajo ligjëroi në Universitetin Columbia.

Gjatë prezantimit si koordinatore e të gjitha shërbimeve sekrete Avril Haines premtoi se përherë do t’ia thotë të vërtetën presidentit. Politika, shtoi Haines, nuk duhet të përzihet në punën e shërbimeve sekrete. Kjo u kuptua si kritikë e ashpër ndaj Donald Trumpit. Avril Haines premtoi se do ta publikojë raportin sekret mbi vrasjen e gazetarit saudit Xhamal Kashogi. Të mërkurën Senati e konfirmoi me 81 vota Avril Haines si gruan e parë në postin e drejtores së të shërbimeve sekrete nacionale.