Maskat e fytyrës e bëjnë të vështirë për njerëzit me probleme në të dëgjuar që të lexojnë buzët dhe të kuptojnë atë që dikush tjetër po flet. Megjithatë, dikush ka gjetur zgjidhjen. Disenjatorja grafike Justine Bate nga Manchesteri ka bërë maska me një dritare plastike për t’i ndihmuar vetes dhe vajzës së saj 10 vjeçe, Tenas.
Që të dyja kanë probleme në të dëgjuar. Por maskat u bënë shumë të famshme kur të tjerët dëgjuan për to, shkruan “Bored Panda”. Justina është vërshuar nga porositë pasi që e bëri dizajnin dhe e tregoi nëpër mediat sociale. Ajo kishte qenë e brengosur që Tena do të ketë vështirësi në komunikimin me shoqet dhe shokët e saj në shkollë, nëse nuk e sheh lëvizjen e buzëve të tyre gjersa flasin. Por tani, Justine ka përmirësuar jetën e shumë njerëzve, jo vetëm të familjes së saj.
Bashkëshorti i saj Carl gjithashtu mban maskën ku shihet goja. Justina shiti 42 maska vetëm më 27 maj, të cilat kushtojnë afro 6 funta të Britanisë, ku përfshihet edhe posta dhe paketimi. Sipas Carlit, nuk arrijnë të bëjnë mjaftë maska sa ka porosi!
Jo vetëm njerëzit me probleme të të dëgjuarit janë duke kërkuar këso maska. Familja është duke marrë shumë porosi edhe nga njerëzit me demencë dhe fëmijë me lloje të caktuara të autizmit të cilët frikësohen nga njerëzit me maska të plota në fytyrë. Familja thotë se nuk e ka bërë dizajnin për fitim material, por është e lumtur nëse mund t’i ndihmojë njerëzve tjerë gjatë pandemisë së koronavirusit.