Yang Huiyan, gruaja më e pasur e Azisë, ka pësuar humbjen më të madhe të pasurisë së saj, e cila zbriti në 11 miliardë dollarë, nga gati 24 miliardë dollarë që kishte në fillim të këtij viti, për shkak të përshkallëzimit të krizës së pasurive të paluajtshme në Kinë. 41-vjeçarja posedon kompaninë më të madhe të pasurive të paluajtshme në Kinë, Country Garden Holdings. Aksionet e Country Garden kanë humbur më shumë se gjysmën e vlerës së tyre këtë vit, pasi sektori i pasurive të paluajtshme në vend është përballur me rënien e çmimeve të shtëpive, dobësimin e kërkesës së blerësve dhe krizën e mospagimit të borxhit që ka përfshirë disa nga zhvilluesit e saj më të mëdhenj që nga viti i kaluar.
Pavarësisht se humbi më shumë se gjysmën e pasurisë së saj, Yang mbetet gruaja më e pasur në Azi, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg. Rënia në vlerën e saj neto ka ngushtuar hendekun e pasurisë midis saj dhe miliardereve të tjera femra në Kinë, duke e bërë Yang vetëm 100 milionë dollarë larg nga tejkalimi i Fan Hongwei në pasuri. Javët e fundit, kriza e pasurive të paluajtshme është përshkallëzuar, pasi mijëra blerës të pakënaqur të shtëpive që kishin bërë parapagimet për shtëpitë e papërfunduara kërcënuan të ndalonin pagesën e hipotekave nëse ndërtimi nuk përfundon në kohë.