Kozeta Zylo
Nju Xhersi, 12 mars – Organizata e gruas shqiptare në Amerikë – “Zëri Ynë” me seli në Nju Jork të Amerikës ka shpallur “Grua e Vitit” sopranon shqiptare me famë ndërkombëtare, Dëshira Ahmeti Kërliu. Ceremonia e ndarjes së çmimit prestigjioz u zhvillua në mjediset e Catering Hall “Grand Marquis” në Nju Xhersi, ku qindra gra shqiptare u mblodhën së bashku për të festuar ditën ndërkombëtare të gruas – 8 Marsin.
“Artist nuk bëhesh, por lind dhe këto dhunti nëse i zhvillon me vullnet dhe dëshirë, patjetër që një ditë do të arrish atje ku duhet. Karriera ime nuk ka qenë e lehtë, ajo ka qenë me mundime, vështirësi, por dhe plot kënaqësi. Jam e nderuar që jam sopranoja e parë shqiptare në teatrin e Shkupit të Maqedonisë dhe kam dhënë koncerte në disa skena në Europë dhe në Amerikë. Në Nju Jork do të vlerësoja koncertin me divën botërore të artit Inva Mula, si dhe me artistë shqiptare, koncert qe e realizuam vitin e kaluar ne Manhattan”, është shprehur Dëshira në këtë ceremoni. Ajo ka informuar gjithashtu se së shpejti, në muajin maj, në Manhattan do të realizohet koncerti i radhës me artistin virtuoz botëror Shkelzen Doli, ndërsa ka thënë se kjo e bën të ndjehet krenare.
Në fjalimin e saj, Dëshira me emocione solli dashurinë e ngrohtë të familjes së saj që e rritën dhe e edukuan në Dibër, por veçanërisht ajo falënderoi gjyshen që e mori qysh si fëmijë në gjirin e saj, pasi mamaja i kishte vdekur në moshë shumë të re. Gjyshja e Dëshirës, Nënë Çeka siç e thërrasin të gjithë, ishte një nënë fisnike, flokët e bardha të saj si bora e bjeshkëve ndrinin ashtu si sytë e saj që shkëlqenin nga gëzimi i madh kur dëgjonte fjalë miradie nga miqësia, shoqëria, por sidomos mirënjohjen që i shprehte mbesa para publikut. Në ndërkohë, organizata e gruas shqiptare “Zëri Ynë” me presidenten znj.Leunora Abdulai, me këtë rast zhvilluan aktivitetin për të festuar këtë ditë të rëndësishme në jetën e gruas. Abdulai uroi të gjitha zonjave dhe zonjushave mirëseardhjen dhe iu uroi atyre gëzuar festat e marsit, ndërsa tha se është bukur që mblidhemi së bashku dhe festojmë festat tona të bukura shqiptare.
Në emër të kryesisë, ajo vlerësoi punën e palodhshme të artistes së shquar të kombit, sopranon e mirënjohur Dëshira Ahmeti Kërliu, si dhe disa grave iu dha nga një buqetë me lule në shenjë mirënjohjeje. Znj.Abdulai tha se Dëshira Ahmeti Kërliu “është një artiste e shquar dhe ne ndihemi krenar si organizatë dhe si gra shqiptare”.