Donte të ndëshkonte kushërirën e saj të vogël – Dericka Lindsay – 9 vjeçe për sjelljen e saj të keqe, kështu që u ul duke rënduar mbi të për 12 minuta. Një ndëshkim fatal për të miturën, e cila u shtyp nga 150 kg e gruas dhe nuk mundi të mbijetojë. Ngjarja ka ndodhur në Pensacola (Konteja e Eskambias) në Florida, SHBA. 64-vjeçarja Veronica Green Posey, është arrestuar me akuzën e vrasjes, e rënduar nga mënyra e ekzekutimit ndaj fëmijës dhe pastaj është liruar pasi pagoi 125 mijë dollarë me kusht. Ndërkohë, prindërit akuzohen për neglizhencë që nuk ndaluan gruan dhe janë akoma në burg. Nga raporti i policisë, del se Posey është ulur mbi fëmijën, e cila në ato momente ndodhej mbi divan, sepse nuk arrinte ta qetësonte në mënyra të tjera. Kishte provuar ta qetësonte duke e qëlluar me tuba metalikë, por me sa duket “nuk ishte e mjaftueshme”. Në 10 minutat e para të dënimit, fëmija kishte kërkuar ”mëshirë”, duke i thënë gruas se nuk arrinte të merrte frymë. Në dy të fundit, nuk foli më. Në atë pikë, Veronica u ngrit dhe u përpoq ta kthejë në jetë. Edhe ardhja e ndihmës së shpejtë nuk ishte e mjaftueshme, ndonëse e mitura u transportua në spital me shpejtësi. Fëmija kishte vdekur për shkak të një ataku në zemër. Shërbimet sociale u përballën me familjen e të miturës. Policia ka nisur hetimet për të kuptuar nëse vdekja mund të ishte shmangur. “Do të bashkëpunojmë me Escambia County Sheriff’s Office për të hedhur dritë mbi ngjarjen”, ka deklaruar Mike Caroll, Sekretar i Departamentit që kujdeset për familjet dhe fëmijët në Florida.