Autori izraelit, David Grossman, ka fituar mbrëmë çmimin ndërkombëtar të “Man Booker International” për vitin 2017, çmim ky që u jepet autorëve, që kanë dhënë kontribut të shquar në letërsinë botërore. “Një kalë hyn në kafene”, që është një nga librat me kritikat më të mira vitin e kaluar, fitoi çmimin e famshëm letrar, që u nda në një ceremoni të mbajtur në muzeun Victoria dhe Albert të Londrës. Juria në të cilën gjendej edhe shkrimtari turk Elif Safak, njoftoi se pikërisht ky roman është fitues i çmimit të sivjetshëm. Grossman, 63 vjeç, është shkrimtari izraelit me numër më të madh të veprave të shitura nga letërsia e zhanrit fantazi dhe letërsisë për fëmijë, ku veprat e tij janë përkthyer në 36 gjuhë. Grossman është fitues i çmimeve të shumta botërore, përfshirë “Chevalier de l’Ordre des Arts et des Lettres” që ndahet në Francë, “Buxtehuder Bulle” që ndahet në Gjermani, çmimin e Romës “Premio per la Pace e l’Azione Umanitaria”, çmimin e Paqes që ndahet në Frankfurt dhe çmimin Emet në Izrael. Grossman është një kritikues i hapur i Izraelit për trajtimin që iu bën palestinezëve. I themeluar në vitin 2005, “Man Booker International” u jepet shkrimtarëve vepra e të cilëve është shkruar ose përkthyer gjerësisht në anglisht. Çmimi ndahet për veprimtarinë letrare të shkrimtarit dhe jo për një vepër të vetme. Fitues i parë i çmimit është shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare.