Përderisa institucionet të përfundojnë procedurat e tyre burokratike se në kompetencë të kujt është kjo rrugë, vozitësit vazhdojnë të qarkullojnë në një rrugë të parregulluar, duke dëmtuar automjetet e tyre
Urim HASIPI
Tetovë, 23 tetor – Me muaj të tërë rruga industriale në Tetovë vazhdon të jetë e rrezikshme për drejtuesit e automjeteve. Pas hapjes së pusetave për rikonstruim të këtij bulevardi, të njëjtat vazhdojnë të mos mbyllen. Madje, as punët nuk kanë filluar për rehabilitim dhe nuk ka ndonjë afat të saktë se kur do të përfundojnë punët. Vozitësit thonë se janë të zhgënjyer nga institucionet dhe njëkohësisht ndjehen të rrezikuar, por edhe të dëmtuar ekonomikisht sepse gjendja e rrugës shkatërron veturat e tyre. “Kjo është katastrofë, nuk ndodh në asnjë vend të botës, rruga të lihet në këtë gjendje. Dëmtojmë veturat sepse nuk kemi zgjidhje tjetër, në këtë rrugë patjetër të kalojmë, ka shumë kaos dhe shumë vozitës nuk e dinë se ka gropa të hapura dhe që nuk janë mbyllur”, thotë një vozitës nga Tetova, shkruan gazeta KOHA.
Tashmë, kur jemi në prag të fillimit të reshjeve atmosferike, gjendja pritet të përkeqësohet në njërën nga rrugët më të frekuentuara të qytetit të Tetovës. Hapja e pusetave dhe prerja e asfaltit edhe në periudhën e ardhshme do të jenë të pambuluara, prandaj qytetarët kërkojnë që sa më shpejtë të merren masa dhe të sanohen të njëjtat pavarësisht se autoritetet kanë paralajmëruar se tërë bulevardi do të asfaltohet, pa dhënë ndonjë datë. Nga Komuna e Tetovës kohë më parë janë shprehur se rehabilitimin e rrugës duhet ta bëjë ndërmarrja publike Rrugët e Maqedonisë. “Ne si Komunë e kemi përfunduar procedurat që na takojnë neve. Jemi në konsultim e sipër me ndërmarrjen “Rrugët e Maqedonisë” meqë rruga në fjalë bën pjesë në atë që llogaritet rrugë rajonale”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Ndërkaq, nga Ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë” kanë thënë se presin vendimin e Qeverisë për të filluar asfaltimin. “Rruga industriale në Tetovë kishte disa çështje teknike për të zgjidhur, sepse ishte me statusin e rrugës lokale. Ne jemi në pritje që Qeveria të jep vendim së bashku në koordinim me Agjencinë e Rrugëve, që kompetencat t’i kalojnë institucionit tonë. Në momentin që do e marrim vendimin, do të fillojmë me asfaltim” thonë nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë.
Dhe përderisa institucionet të përfundojnë procedurat e tyre burokratike se në kompetencë të kujt është kjo rrugë, vozitësit vazhdojnë të qarkullojnë në një rrugë të parregulluar, duke dëmtuar automjetet e tyre. Ky bulevard shfrytëzohet edhe nga banorët që destinacion i kanë edhe komunat tjera si Bërvenicën dhe Bogovinën, me ç`rast shkaktohet një kaos i vërtetë me kolona të gjata. Nga ana e Komunës së Tetovës, kohë më parë ishte paralajmëruar edhe largimi i semaforëve dhe vendosja e një rrethrrotullimi, por kjo është lënë për vitin e ardhshëm dhe këtë vit nuk do të ndërtohet. Komuna e Tetovës ka marrë një grant për hapjen e këtij bulevardi deri tek kazerma e qytetit të Tetovës, respektivisht në dalje të qytetit për në rrugën rajonale Tetovë –Jazhincë, por edhe në këtë pjesë punët nuk dihet se kur do të fillojnë. Duke patur parasysh se punët kanë filluar gjatë muajve të verës, me gjasë të njëjtat do të përfundojnë para dimrit. Sipas qytetarëve, ndërhyrjet në infrastrukturë në këtë bulevard ngjasojnë me punët në bulevardet tjera, ku punët zgjasin me muaj dhe me vite. (koha.mk)