Gripi me shpejtësi po përhapet në Shqipëri

Tiranë, 12 shkurt – Shqipëria renditet ndër 9 vendet me intensitet të lartë të përhapjes së virusit të gripit në Evropë.

Me intensitet të lartë janë edhe dy vendet fqinje, Greqia dhe Italia. Numëron mbi 20 mijë raste në javë të raportuar të prekur nga infeksionet respiratorë dhe virusi i gripit në vendin tonë. Por, ky numër mund të jetë edhe më i madh, pasi një pjesë e qytetarëve nuk paraqiten tek mjeku, përcjellë gazeta KOHA.

Duke iu referuar këtyre shifrave, ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik nuk flasin ende për epidemi gripi, por thonë se jemi afër pragut të epidemisë. Madje, duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i rasteve këtë vit është 10% më i ulët, shpjegojnë ata.

Por, gjithsesi i numri i të prekurve po rritet shpejt. Në sallën e reanimacionit të Sanatoriumit ka disa raste në gjendje të rëndë që po i nënshtrohen terapisë intensive, ndërkohë që 4 persona kanë humbur jetën këtë vit nga virusi i gripit, njofton Top Channel.

Në fakt, në vend janë duke qarkulluar dy viruse gripi, ai i tipit A me nën tipet AH1N1 dhe AH3N2 dhe virusi i tipit B. Ndaj, mjekët vijojnë t’i bëjnë apel qytetarëve të mos neglizhojnë vaksinën e gripit, pasi ajo mund të aplikohet në çdo periudhë.

Vaksina e gripit ndihmon në rastet kur personi preket nga virusi ta kalojë atë më lehtë dhe jo me komplikacione të rënda siç janë pneumonitë akute.(koha.mk)