Bruksel, 29 tteor – Analizat e fundit të organizatës joqeveritare ekologjike Grinpis, bazuar në të dhënat satelitore nga Organizata evropiane e gjithësisë (ESA) zbulojnë se Belgjika, dhe posaçërisht qyteti Antverpen, janë në mesin e vendeve më të ndotura nga azot dioksidi (NO2) në botë.
Falë satelitit të ri të ESA, mund të analizohen burime të ndryshme të ndotjes në botë. Organizata Grinpis, në bazë të këtyre të dhënave prodhoi hartë interaktive e cila zbulon se Belgjika është një ndër vendet më të ndotura në Evropë. Akoma më shqetësuese, qyteti Antverpen është në nivel të njejtë me Parisin dhe Buenos Ajresin.
Ekspertët nga Grinpis sqarojnë se një nga shkaqet për këtë gjendje është industria e porteve, por jo e vetmja.
“Sqarimi për koncentrimet e fuqishme të azot dioksidit në qytetet e tjera të mëdha në Belgjikë, Bruksel, Liezh, Gent, është prania e numrit të madh të automjeteve disel si dhe fakti që në vend ka numër tejet të madh të automjeteve nëpër rrugë”, thotë Juri Tejs, ekspert për cilësinë e ajrit në Grinpis.
Grinpis shton se analizat e hartave satelitore treguan dallim të madh mes ndotjes gjatë javës dhe gjatë fundjavës, që është dëshmi se automjetet janë problem i vërtetë për cilësinë e ajrit në Belgjikë.
Azot dioksidi është një ndër gazrat më toksike dhe më të rrezikshme për shëndetin e njerëzve. NO2 është një ndër agjentët kryesorë në formimin e grimcave PM2,5.