Kampioni i dyfishtë i Evropës (me Real Madrid-in në Champions League dhe me Portugalinë në Evropian), Cristiano Ronaldo, ka deklaruar se lojtarët francezë “mendonin se do të fitonin lehtë” dhe “qeshnin shumë” para finales së “Euro 2016”-s. Këtë “CR7”-a e ka thënë në një intervistë që do të publikohet nesër në revistën “France Football”. Sulmuesi 31-vjeçar shtoi se largimi nga fusha për shkak të dëmtimit të pësuar nga Dimitri Payet për të është “pengu më i madh në karrierë”. “Nuk mund ta dubloja këmbën. Nuk mund të luaja në finalen për të cilën kisha ëndërruar, nuk mund të luaja më shumë”, – rrëfen Cristiano në intervistën e tij. Tri-herë fituesit të “Topit të Artë” iu desh të linte lojën në minutën 25′ pas goditjes që mori në gju dhe e pa gjithë pjesën tjetër të ndeshjes nga stoli. Titulli i këtij artikulli është “Griezmann më tha ‘Të urrej’”, por ende nuk dihet nëse prestigjiozja franceze ka “luajtur” me ndonjë fjali të portugezit, apo është diçka reale.