Nga shiu në breshër”, është një shprehje e përdorur në vendin tonë. Mirëpo, ka raste kur kjo merr edhe kup timin e parë. Eros Grezda nga Kroacia është transferuar në Skoci. Nga një kohë me diell, mbase edhe pak shi një ditë të caktuara të vitit, ka nisur të jetojë një kohë gri, me temperatura të ulëta dhe me shi e breshër. E në rast se duam t’i rikthehemi edhe një herë perifrazimit të frazës fillestare, breshëri për mesfushorin e Kombëtares është loja e fortë dhe e aspër që karakterizon stilin e futbollit skocez. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori i avancuar apo sulmuesi anësor i Kombëtares na prezanton me Rejnxhërsin e Stiven Xherard. Këshillat, tipin e trajnerit, ngacmimet me shokët e skuadrës. Ah, ka edhe “baste”, pasi në ekip Grezda ka një skocez që është pjesë e Kombëtares. “Në nëntor do e shohësh forcën e Shqipërisë”, është basti i shqiptarit në dhomat e zhveshjes, si për t’i dalë në mbrojtje kuqezinjve pas disfatës 2-0 ndaj Skocisë për Ligën e Kombeve.
Nga Kroacia në Skoci, cila ka qenë gjëja e parë që ju ka bërë përshtypje?
Gjëja e parë që më ka bërë përshtypje sapo erdha në Skoci ishte moti. Pra, në qytet është gjithmonë shi.
Po në skuadër, te Rejnxhërsi?
Sa i përket anës profesionale, luhet një futboll shumë shumë më i shpejtë dhe shumë herë më agresiv sesa në Kroaci.
Çfarë ju thanë shokët pas ndeshjes Skoci-Shqipëri? Cili ishte mendimi i tyre për Kombëtaren tonë?
Të them të drejtën, ne luajtëm shumë dobët kundër Skocisë. Kjo, është ajo që më thanë shokët. Por sigurisht që nuk mund ta pranoja.
Realisht, nuk ishim brilantë, por si ju përgjigjët?
Si çdo shqiptar. Ju thashë që: “Do jua tregojmë në nëntor se kush jemi. Do ta shikoni forcën tonë të vërtetë”.