Eros Grezda nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Rejnxhërsit dhe për ta zyrtarizuar diçka të tillë, klubi po përdor çdo mënyrë të mundshme. Ai doli në shitje që në merkaton e verës dhe kishte bisedime me disa klube nga Franca por nuk u arrit në një akord duke e lënë futbollistin e Kombëtares në kampionatin skocez.
Largimi i tij është i pashmangshëm në këtë moment duke marrë parasysh faktin se nuk luan me skuadrën e parë të Rejnxhërsit prej muajsh dhe këtë sezon, nuk ka pasur qoftë një grumbullim. Klubi duket se nuk ka në plan ta shesë këtë merkato pasi forma e tij është e dobët dhe i duhet të luajë në nivel profesionist, në mënyrë që në verë të shitet.
Në këto kushte, Rejnxhërs ka vendosur të paguajë rrogën e futbollistit në mënyrë që ky i fundit të ketë mundësi për të luajtur. Ai do të huazohet deri në verë me kusht që të luajë rregullisht dhe të marrë formën më të mirë, teksa si shpërblim për klubin që e ndihmoj, do të jetë pagesa e rrogës nga klubi i Rejnxhërsit. Tashmë, mbetet të shihet vetëm se ku do të jetë e ardhmja e Grezdës pas janarit.