Prishtinë, 12 mars – Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës sot do të mbajë grevë njëditore në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se greva e sotme është vazhdimësi e veprimeve sindikale të SBASHK-ut kohën e fundit, për shkak të mosrealizimit të kërkesave nga qeveria.
“Të hënën i tërë sistemi arsimor i Kosovës do të jetë në grevë tërë ditore… Nëse kërkesat nuk do të realizohen edhe pas grevës të së hënës, sipas vendimit të Kongresit të SBASHK-ut, greva do të përshkallëzohet në muajin prill”, theksoi Jasharaj.
Sipas tij nëse Qeveria e Kosovës nuk i plotëson kërkesat sindikata do të marrë hapin tjetër që sipas rezolutës së Kongresit nëse deri më 13 prill qeveria nuk vepron, atëherë do të shkojnë në grevë në kohë të pacaktuar që nënkupton që greva do të zgjasë deri në realizimin e kërkesave të anëtarësisë së sindikatës.
Jasharaj për Radio Kosovën potencoi se kërkesa kryesore e grevistëve do të jetë dërgimi në Parlament i Projektligjit për punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta.
“Kërkesë tjetër e jona është që qeveria bashkë me institucionet lokale të punojë më shumë të realizohet kontrata kolektive pa pasur nevojë të shkohet nëpër gjykata. Kërkesë e tretë është që propozimi i SBASHK-ut dhe i MASHT-it lidhur me ligjin e pagave të pranohet…”
Sipas organizatorëve, sot të gjithë arsimtarët duhet të jenë nëpër vendet e tyre të punës, por nxënësit nuk duhet të shkojnë në shkollë. Megjithatë, kreu i Sindikatës tha se i kanë përjashtuar çerdhet, për arsye të përkujdesjes për fëmijët, prindërit e të cilëve janë të punësuar.