Një emër shumë i njohur i skenës dhe një vajzë bukuroshe e cila ka ditur të kultivojë këngën shqipe ashtu si e ëma. Gresa Behluli vjen në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA duke treguar se emri i Shkurtes i ka ndihmuar shumë si në aspektin profesional edhe në atë personal
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Je shumë aktive gjatë vitit me projekte, pushime e lëvizje gjithandej?
Po, gjatë këtij viti kam qenë shumë e angazhuar me projekte muzikore poashtu me paraqitje në koncerte e mbrëmje muzikore dhe dasma, patjetër që pas secilës punë kërkohet edhe pak pushim e shëtitje për qejf.
KOHA: Çfarë e bën të veçantë Gresën?
Origjinaliteti mendoj.
KOHA: Krahas koncerteve që merr pjesë bashkë me mamin edhe në dasma, të lodhin apo të japin kënaqësi?
Të jesh pjesë e dasmave e shoh si privilegj sepse dihet që dasma është ditë e veçantë për çiftin, prandaj e marr këtë punë me shumë përgjegjësi dhe natyrisht edhe lodhja e ka kënaqësinë e vet, po përveç koncerteve janë bërë tashmë katër vite që jam pjesë e dasmave shqiptare, jemi një grup shumë i mirë me një orkestër profesionale, mami ka repertorin e saj me këngë popullore e unë kam pjesën time me këngë për të rinj po ashtu edhe duetet me mamin dhe funksionojmë mirë e del një dasmë shumë e veçantë.
KOHA: Megjithatë shumë vite je në skenë nuk ke qenë thuajse asnjëherë pre e ndonjë thashetheme të themi të madh?
Po unë kam pasur shembull tjetër në shtëpi dhe atë shembull u mundova të ndjek në çdo aspekt qoftë ai profesional dhe personal.
KOHA: Si është Gresa në jetën e përditshme, si e kalon një 24 orësh jashtë obligimeve?
Varet nga obligimet që kam brenda ditës, nëse kam ndonjë xhirim atëherë më shkon dita të frizeri, grimeri, stilisti (qesh), kur kam ditë pa obligime shkoj në studio për ndonjë ide të këngës, dal për kafe me motrat ose relaksohem me piano.
KOHA: Shohim je shumë e afërt me motrat, sa i ndihmoni njëra-tjetrës?
Ndihem vërtetë e bekuar për motrat që i kam, i kam edhe shoqe, çdo gëzim e ndonjë pakënaqësi e ndajmë bashkë.
KOHA: E keni mamin akoma atë udhërrëfyesen që çdo ditë ju jep mësime të stilit ‘mos bëj atë, mos bëj këtë’?
Të dy prindërit kanë qenë udhërrëfyes dhe edukues shumë të mirë për neve katër fëmijët, e tani me të gjithë jemi rritur nuk ka nevojë për kaq shumë kujdes.
KOHA: Si më e madhja që je, dukesh e llastuar apo jo?
Unë jam më e madhja nga motrat po vëllai është më i madh, secili nga ne është i llastuar në një mënyrë.
KOHA: Për momentin, çfarë je duke bërë gati surprize për fansat dhe ku do i kaloni festat e fundvitit?
Ka pak ditë që kemi lançuar dy potpuri me mamin, këngët e bukura shqipe që kanë atmosferën që kërkohet për festat e fundvitit, tani jam në përgatitje të një kënge solo me të cilën do të prezantohem në xhirimet festive.