Agjencia e Kombeve të Bashkuara dhe departamenti i BE në Greqi janë akuzuar nga organizata të tjera të ndihmave të refugjatëve si “Refu-aid” dhe “Do your Part” për keqpërdorim të fondeve multi-milion dollarëshe të ndara për kampet e refugjatëve në Greqi. Ata janë akuzuar se kanë lënë refugjatët në kushte të mjerueshme dhe në të ftohtë të tmerrshëm. Qeveria greke, e cila po ashtu ka juridiksion mbi këto kampe dhe aktivitetet e tij, është kritikuar se nuk ka shfrytëzuar fonde prej 90 milion eurove, të ndara për përmirësimin e kushteve në këto kampe para fillimit të dimrit. Këto para ishte dashur të shfrytëzoheshin për të siguruar një vendbanim më të ngrohtë, për t’i shpërngulur refugjatët nga tendat në shtëpi banimi më të sigurta, si dhe për të siguruar veshmbathje për ta. Nuk është vetëm një akter i fajshëm, mirëpo është një problem zinxhirorë.
Departamenti i BE ka ndarë 14 milion euro në Prill të këtij viti, për të përgatitur 50 kampe refugjatësh, ku janë të strehuar mbi 50.000 refugjatë sirianë, të bllokuar në ato kampe qysh kur shtetet perëndimore mbyllën kufijtë e tyre për refugjatë. “Ne jemi të zemëruar se sa të shkëputur me realitetin janë Bashkimi Evropian dhe OKB dhe se pse nuk ka ndonjë mbikëqyrje të këtyre fondeve. Ka ende kampe ku njerëzit flenë në borë, ku gjendja është më e keqe në kampet në pjesën veriore kurse në ishuj ende nuk ka filluar fare përgatitja” Kurse vetë refugjatët, të pyetur për kushtet kanë deklaruar se kushtet janë mjaft të këqija dhe se mes tyre ka edhe bebe të cilët e kanë akoma më të vështirë të iu bëjnë ballë kushteve. Në secilin nga këto kampe mendohet të jenë të strehuar mbi 1000 persona.