Edhe pse nën presionin e fuqishëm të Greqisë dhe të ndërkombëtarëve, për ndërrimin e emrit të shtetit, pala e Maqedonisë në mënyrën më perfide duke e shfrytëzuar këtë rast të ndjeshëm, e vetëdijshme se shqiptarët qëllim të vetëm i kanë integrimet dhe nuk mund të reagojnë për “lëshime të vogla”, arritën që përmes tekstit të kësaj marrëveshjeje ta promovojnë idenë për shtetin e pastër maqedonas, ku nuk do përmenden shqiptarët e as gjuha e tyre, madje si duket eliminohet edhe emërtimi me përqindje
Nga Vebi BEXHETI
Kontesti i stërzgjatur mes Maqedonisë dhe Greqisë lidhur me emrin, si duket po mbyllet me sukses, pas negociatave mes palëve, me ndërmjetësimin e të dërguarit special, veteranit Metju Nimic. Gjithsesi se për zgjidhjen e këtij problemi ishin të interesuar edhe shqiptarët, madje edhe më të interesuar se maqedonasit, meqë ndërrimi i emrit të Maqedonisë, si kërkesë këmbëngulëse e Greqisë, që hapte rrugën e integrimeve për NATO dhe EU, para së gjithash ishte në interes të shqiptarëve. Në këtë përkrahje aq të fuqishme nga shqiptarët, llogarit edhe Kryeministri Zaev, madje ai është i vetëdijshëm se me votën e shqiptarëve referendumi mund të jetë i suksesshëm, ndërsa ndërrimet kushtetuese që kërkojnë dy të tretat e numrit të deputetëve, as që mund të mendohen pa votën e deputetëve shqiptarë. Për sa i përket ndërrimit të emrit të shtetit të përbashkët, nga Republika e Maqedonisë, në Republika e Maqedonisë së Veriut, shqiptarët nuk kishin ndonjë arsye t’i kundërvihen këtij emërtimi, të vetëdijshëm se një hap i tillë ishte i domosdoshëm dhe hapte rrugë për integrimet euro-atlantike. Për shqiptarët do ishte i papranueshëm emri “Maqedonia Sllave’’, por edhe “Republika e Maqedonisë së Ilindenit’’, edhe pse nga përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri, edhe për këtë propozim u dha dritë jeshile. Nëse një pjesë jo edhe e vogël e maqedonasve nuk e shohin ardhmërinë në këto integrime, shqiptarët, sipas të gjitha anketimeve ishin rreth 99% me orientim pro NATO dhe UE, prandaj nuk duhet të ketë asnjë dilemë në këtë drejtim. Pas negociatave të vështira me palën greke dhe vendosmërinë e tyre se emri i shtetit patjetër duhet të ndërrohet, u arrit një kompromis, nga i cili palët humbën pak, për të fituar më shumë. Forcat politike opozitare të dy vendeve e kundërshtojnë këtë marrëveshje, por dy kryeministrat deklarojnë se i kanë votat në parlamentet e tyre për ta miratuar këtë dokument, gjë që edhe ndodhi në Parlamentin e Maqedonisë, edhe pse Kryetari Ivanov, pas votimit të parë nuk e dekretoi këtë vendim, madje duke e quajtur edhe skandaloz dhe të dëmshëm për shtetin. Teksti i kësaj marrëveshjeje të arritur në pjesën greke të Prespës, që gjatë kohë mbahej i fshehtë, me arsyetimin se publikimi i parakohshëm i këtij dokumenti me vërejtjet eventuale, mund ta dëmtojë procesin dhe arritjen përfundimtare të zgjidhjes e kësaj çështjeje të hapur, që nga koha e pavarësimit të Maqedonisë. Pas shpalljes publike të dokumentit për marrëveshjen mes dy qeverive, që u konsiderua si arritje historike, dhe pas leximit të tekstit nen për neni, u pa se “ dardha ka bisht”, që do të thotë se pala negociatore maqedonase, ku ishte e pranishme edhe ajo shqiptare e partisë në pushtet, këtë ngërç politik mes dy vendeve fqinje e shfrytëzoi edhe për jetësimin e një ideje të kamotshme të maqedonasve, strategji kjo, që i bashkon partitë politike kundërshtare, sepse tani më është i njohur qëndrimi unik i tyre kur janë në pyetje shqiptarët. Edhe pse nën presionin e fuqishëm të Greqisë dhe të ndërkombëtarëve, për ndërrimin e emrit të shtetit, pala e Maqedonisë në mënyrën më perfide duke e shfrytëzuar këtë rast të ndjeshëm, e vetëdijshme se shqiptarët qëllim të vetëm i kanë integrimet dhe nuk mund të reagojnë për “lëshime të vogla”, arritën që përmes tekstit të kësaj marrëveshjeje ta promovojnë idenë për shtetin e pastër maqedonas, ku nuk do përmenden shqiptarët e as gjuha e tyre, madje si duket eliminohet edhe emërtimi me përqindje, ndërsa për gjuhën shqipe si gjuhë e dytë zyrtare as që bëhet fjalë. E tërë kjo ndërhyrje e vrazhdë eliminuese për shqiptarët dhe gjuhën e tyre, përmes një dokumenti të përpiluar nga pala maqedonase, pa ndonjë interes për palën greke sepse ata nuk e kontestojnë identitetin shqiptar, por vetëm emrin e shtetit, u bë para syve të shqiptarëve të përgjumur, apo edhe të vetëdijshëm për një ndërmarrje të këtillë, vetëm e vetëm ta ruajnë rehatinë e vet dhe interesat personale grupore e partiake. Frazeologjia popullore “Nuk i ka fajet sëpata që e pret malin, por vet mali se ia dha drurin për bisht”, i përgjigjet plotësisht këtij momenti, kur dihet se vetëm me aminin e shqiptarëve mund të jetësohet kjo marrëveshje për të cilën aq shumë janë të interesuar ato.
E tërë kjo që u tha më lartë, dëshmohet me gjuhën juridike përmes një neni të kësaj marrëveshjeje: Sipas nenit 1. të Marrëveshjes, alinea 3., pika b., përkatësia kombëtare do jetë Maqedonas/ qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që do jetë e shënuar edhe në dokumentet e udhëtimit, ndërsa sipas pikës c.,Gjuha zyrtare do jetë Gjuha maqedonase. Ky nen famëkeq me pikat e zeza b. dhe c., nëse do bëhet pjesë e kushtetutës, do i rrënojë edhe ato pak të arriturat e shqiptarëve, pas Marrëveshjes së Ohrit dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, që për shkak të inatit të Ivanovit, assesi të dalë nga sirtarët e Kryetarit të Parlamentit. Kjo ndërhyrje për fshirjen e përkatësisë etnike shqiptare dhe margjinalizimi i plotë i gjuhës shqipe, në kohën kur shqiptarët pritnim zytarizimin e plotë të saj, nuk është e rastit por gjithsesi si rezultat i ndonjë elaborati, të përpunuar shumë më herët nga intelektualë maqedonas, pavarësisht ngjyrimit të tyre politikë, në bashkëpunim edhe me Akademinë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve. Para dy vitesh, në një ballafaqim me prof. Fërçkovskin në TV-ALSAT, kur po e përuronte një libër të vetin, e promovoi edhe idenë e përkatësisë unike për të gjithë qytetarët që duhej të regjistroheshin si maqedonas, sepse sipas tij, vetëm kështu mund të zgjidhet një herë e përgjithmonë problem ndëretnik. Këtë ide Qeveria e Zaevit, gjithsesi me kontributin e klasës intelektuale, mundohet ta jetësojë përmes dokumentit të Marrëveshjes me Greqinë, që nuk ka të bëjë fare me kushtëzimet greke ndaj palës maqedonase. Një fushatë kundër shqiptarëve të Maqedonisë dhe gjuhës së tyre, e Greqisë as që ka ekzistuar ndonjëherë. Me këtë akt juridik të shpikur nga pala maqedonase që paralajmëron një fushatë të ashpër kundër qenies kombëtare të shqiptarëve, Kryeministri përpiqet t’i josh edhe kundërshtarët e vet politikë të opozitës maqedonase, kur thotë se me këtë dokument maqedonasit i përforcojnë pozitat e veta kombëtare, ndërsa gjuha e vetme zyrtare do jetë ajo maqedonase. Në një rast tjetër, kur në Parlamentin e Maqedonisë debatohej për pikën “Pyetje deputetësh”, drejtuar Kryeministrit, pyetjes së deputetit Fadil Zendeli, që lidhej me nenin kontestues të këtij dokumenti, ai iu përgjigj drejtpërdrejt, pa asnjë manovrim politik e diplomatik, duke thënë se Maqedonia si shoqëri multietnike që është, ku shumicën e përbëjnë maqedonasit, të gjithë qytetarët e saj, përkatësinë nacionale duhet ta kenë “Maqedonas”, ku nuk mungon edhe pjesa tjetër, “qytetarë të Republikës së Maqedonisë së veriut”, ndërsa gjuha e vetme zyrtare do jetë vetëm gjuha maqedonase. Ky arsyetim ishte pa asnjë farë baze, madje edhe qesharak, kur krejt bota e di se Greqia ndërrimin e emrit e kërkon për shkak të maqedonasve e jo për shkak të shqiptarëve. Në një prononcim të tijin lidhur me pyetjen e një gazetari, Zëvendëskryeministri Bujar Osmani, fenomenin e imponuar të përkatësisë nacionale si maqedonas, edhe për shqiptarët, si popullata e dytë më e madhe në shtet, e spjegon në mënyrë më të mjegulluar dhe tjetërfare nga Kryeministri i tij, sepse derisa i pari mburret me reduktimet e paralajmëruara të drejtave të shqiptarëve, duke llogaritur edhe në votat e elektoratit të vet, ky i fundit mendon se elektorati i tij han bar, edhe pse deridiku ka të drejt sepse një pjesë e elektoratit të partisë së tij, si duket, nuk çanë kokën se si do quhemi nesër. Emrin “nationality”, ai e përkthen si shtetësi, por nëse është ashtu, pse nuk shkruhet “ e Maqedonisë”, që do vlente edhe për maqedonasit. Të gjitha këto manipulime dhe mashtrime të shqiptarëve, kohëve të fundit bëhen në emër të gjuhëve dhe specifikave të tyre, për gjoja mospërshtatje të përkthimit nga anglishtja në gjuhën shqipe, madje që shpeshherë bëhet përmes maqedonishtes. Me fenomenin e këtillë gjuhësor shqiptarët janë ballafaquar edhe shumë më herët, por kanë ditur “ta ndajnë shapin prej sheqerit”. Që nga pavarësimi i Maqedonisë, madje edhe në kohën e Jugosllavisë, shqiptarët, termin anglisht “nationality”,që në praktikën e shteteve evropiane e ka edhe kuptimin e shtetësisë, nuk e pranuan me kuptimin e emrit të shtetit, por si term që përcaktonte qenien etnike, prandaj në ish Jugosllavi ekzistonin termet: “kombe” dhe “kombësi”( ku bënin pjesë edhe shqiptarët), për t’a ruajtur qenien kombëtare të qytetarëve të asaj Jugosllavie, por pa ia mohuar të drejtën asnjërit të regjistrohet si jugosllav, ashtu si sot, kur askush nuk ka të drejt t’ia mohojë dëshirën ndonjë shqiptari që ndjehet si maqedonas, madje edhe të regjistrohet si i tillë. Me këtë problem shqiptarët u ballafaquan edhe në fillimet demokratike, por edhe më vonë, pas mbarimit të luftës, me Marrëveshjen e Ohrit, kur e fituan të drejtën e të qenit si pjesës e kombit, me arsyetimin se kombi i plotë jeton në shtetet amë. Nga e tërë kjo histori mësojmë se garnitura e tanishme politike shqiptare e instaluar në qeveri, për sa i përket të drejtës së pamohueshme që shqiptari ta ndjejë të qenit shqiptarë, e që do dëshmohej edhe me dokument si i tillë, del se është më restriktive se të gjithë politikanët tjerë më të hershëm shqiptarë, madje edhe se ato të kohës së Jugosllavisë së Titos. Një gjë e këtillë ka ndodhur vetëm në kohën e Perandorisë Osmane, kur politika e sulltanit na e imponoi emrin “turk”, e që edhe sot e kësaj dite nuk mund ta çrrënjosim. E njëjta gjë, nëse do jetësohet ky propozim i papranueshëm për shqiptarët, do ndodhë edhe me termin “ maqedonas”.
Mendoj se e tërë kjo tendencë e politikës maqedonase për një asimilim kaq të vonuar të shqiptarëve, nuk do kalojë, sepse tani më jemi në shekullin e njëzet e jo në kohën e sulltanëve. Ende besoj se populli shqiptarë, nuk do rri duarkryq para kësaj ideje me apetite lugati për të gllabëruar aq lehtë tërë atë që u fitua me sakrifica të mëdha, dhe se do i përdorë të gjitha mekanizmat demokratike për t’i thënë JO kësaj garniture politike qeveritare shqiptare, që jorastësisht kohëve të fundit po zgjerohet edhe me me klientë të ri. Mendoj se një orvatje e kësaj natyre, e politikës maqedonase, është shpresa e vetme e tyre që përmes një mjegullnaje të këtillë manipulimi, të vazhdojnë të jenë shumicë dhe të vetmit si elementë shtetformues i këtij shteti, që assesi të qëndrojë në këmbët e veta. Këtë e paralajmëroi edhe drejtori i Entit statstikor, me deklaratën e tij, se në regjistrimin e ardhshëm nuk do ketë grafë tjetër përveç asaj që do e përcaktojë, vetëm përkatësinë nacionale maqedonase. Nëse ky propozim kalon, atëherë shtrohet pyetja se në bazë të cilave parametra do të përcaktohet përqindja e shqiptarëve, në bazë të cilave i siguronte disa të drejta, edhe pse në emër të “njëzet përqindëshit”, e jo si shqiptarë. Që nga instalimi i emërtimit të ri të shqiptarëve si “ përqindje”, i cili u promovua me Marrëveshjen e Ohërit, që ishte faza e parë drejtë asimilimit, dihej se do vinte edhe faza e dytë për eliminimin e tërësishëm të emrit “shqiptarë” dhe “gjuhë shqipe”, kur do krijoheshin kushte më të volitshme, e si duket, ky moment erdhi bashkë me këtë marrëveshje, që fare nuk ka të bëjë me çështjen shqiptare. Ndërhyrja e një pjese e këtij dokumenti që i shlyen shqiptarët nga shteti i përbashkët e multietnik, jo që nuk është projekt grek por përkundrazi, grekët e shtrojnë dilemën se a mund të pajtohen shqiptarët me një status të tillë. Këtë e dëshmoi edhe ministri grek i Mbrojtjes, Kamenos, i cili duke shprehur skepticizmin për jetësimin e shpejtë të marrëveshjes, sipas kalendarit të paraparë me këtë dokument, ndër të tjera i përmendi edhe shqiptarët, për të cilët thotë se nuk beson se ato do pajtohen të jetojnë në një shtet të pastër sllav. E cituam fjalën e këtij ministri për ta vërtetuar edhe njëherë se kjo ndërhyrje e vrazhdë e autoriteteve maqedonase në këtë dokument, bashkë me shqiptarët e përgjumur qeveritarë, nuk ishte pjesë e agjendës në negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë dhe se eliminimi i kësaj ndërhyrjeje në dëm të shqiptarëve, nuk e dëmton fare marrëveshjen e arritur mes Kryeministrit Zaev dhe Cipras. Dhe krejt në fund, edhe njëherë ua përkujtoj partive shqiptare në pushtet metaforën e frazeologjizmës se “dardha e ka bishtin mbrapa”, e nëse aq lehtë e gëlltisin atë, ku do e çojnë bishtin?! (koha.mk)