Pas pesë ditëve diskutime aktive dhe në momente të ashpra, fillimisht në Komisionin dyditor për punë të jashtme dhe mbrojtje, e pastaj në seancën maratone plenare në kohëzgjatje prej 28,5 orëve, Parlamenti grek dje e ratifikoi Marrëveshjen e Prespës.
Votimi kaloi pa befasi, ashtu siç pritej, 153 deputetë votuan “pro”, 146 “kundër” dhe një abstenim, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Ministri alternativ i Punëve të jashtme i Greqisë, Jorgos Katrugalos e nënshkroi ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
“Sapo e nënshkrova ligjin e ratifikuar të Marrëveshjes historike të Prespës. Greqia është protagonist në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit dhe Evropës. Epokë e re në marrëdhëniet tona me fqinjët tanë”, ka shkruar Katrugalos në Tuiterin e tij zyrtar.
Pas votimit, kryeministri grek, siç zbuloi vetë, ka marrë thirrje telefonike dhe urime nga kolegu i tij maqedonas, njëjtë siç kanë bërë edhe liderët tjerë.
Pasi që në Greqi u ratifikua Marrëveshja e Prespës, Aleksis Cipras, foli për ditën historike për Greqinë dhe Ballkanin, ndërsa Kirjakos Micotakis për ditën e rëndë dhe të dhimbshme për Greqinë.
Tha se “sot lindi një vend i ri në kufirin verior, Maqedonia e veriut, e cila do të jetë vend mik dhe aleat i Greqisë”.
“Dua t’u drejtohem të gjithë grekëve dhe grekeve. Rezultati i votimit të sotëm nuk ka fitues as humbës. Sidomos, dua t’u drejtohem atyre të cilët ende kanë ankesa, e respektojmë këtë, kritikojnë, e respektojmë edhe këtë të jenë të sigurt se shumë shpejt do t’i shohin përfitimet e mëdha nga ky hap i madh përpara”, tha Cipras
Në deklaratën për mediat, kryeministri grek iu falënderua të gjithë deputetëve që e mbështetën ratifikimin, duke thënë se “gjeneratat e ardhshme të dy kombeve do ju jenë mirënjohës sepse sot i vendosin themelet për të ardhme të bashkëjetesës së qetë, solidaritetit dhe bashkëpunimit”.
Maqedonia e Veriut, e cila u lind sot do të jetë mikja jonë, shkroi kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, në profilin e tij zyrtar në Tuiter, pak pas shpalljes së rezultateve dhe dritës jeshile nga Parlamenti grek për Marrëveshjen e Prespës. Ai shtoi se sot është ditë historike, sot “shkruhet faqe e re për Ballkanin”.
“Gjeneratat e ardhshme të të dyja vendeve i kanë borxh deputetëve mirënjohje të cilët me guxim i vendosën themelet për të ardhmen e paqes, solidaritetit dhe bashkëjetesës harmonike mes dy popujve. Maqedonia e Veriut e cila u lind sot do të jetë mike jona. Aleate dhe mbështetëse e Greqisë në përpjekjet e saj për siguri, stabilitet dhe zhvillim të përbashkët në rajon”, shkroi kryeministri grek.
Sot është ditë e rëndë dhe e dhimbshme për Greqinë, porositi lideri i partisë opozitare greke Demokracia e Re, Kirjakos Micotakis në deklaratën e dhënë menjëherë pas ratifikimit të votuar, për siç thekson, “Marrëveshjen e dëmshme të Prespës”, lajmëron korrespondentja e MIA-s nga Athina.
“Ratifikimi nga Qeveria greke, zyrtarisht nënkupton pranimin e gjuhës maqedonase dhe identitetit për banorët e Shkupit. Kështu, lëshohet linja kombëtare dhjetëvjeçare. Zotëri Ciprasi tha “po” aty ku të gjithë paraardhësit e tij thanë “jo”. Shkaqet, i di vetëm ai”, tha lideri i Demokracisë së Re.
Micotakis e përsëriti edhe atë që e paralajmëroi në fjalimin e tij të djeshëm në Parlament se Demokracia e Re, do ta shfrytëzojë të drejtën e vetos për integrimin e Maqedonisë në BE.
“Personalisht, kam folur sinqerisht për vështirësitë e mëdha të cilat vinë nga miratimi i marrëveshjes. Por, jam angazhuar se do të qëndroj fortë në obligimin kombëtar:nuk do ta hedh poshtë të drejtën e Greqisë që të vendosë veto për integrimin e Shkupit në BE. Do të luftoj me të gjitha forcat e mia që t’i zbus pasojat negative të cilat është e sigurt se do të dalë nga marrëveshja problematike”, tha Micotakis.
Vetëm disa minuta pasi që qartë gjatë votimit në Parlamentin grek brohoriti: “Kuptohet PO”, ish-shefi i diplomacisë greke, Nikos Koxias, në tuiter profilin e tij zyrtar shkroi se sot fitoi politika e paqes, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
“Tani është urgjente, së bashku me miqtë nga Maqedonia e Veriut t’i zbatojmë masat nga agjenda pozitive e Marrëveshjes së Prespës, e ardhmja jonë e përbashkët. Zoran dhe Nikolla, historia është shkollë e jo burg. Së bashku qëndruan në anën e drejtë të historisë”, shkroi Koxias.
Parlamenti sot mori vendim që i shërben interesave të grekëve dhe e përforcon sigurinë në rajon, tha lideri i partisë Potami, Stavros Teodorakis pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Teodorakis, së bashku me dy bashkëpartiakë të tij, të cilët për shkak të grupit të deputetëve të shpërndarë të Potamit u bënë deputetë të pavarur votuan “për” ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës.
“Potami, duke e pasur si udhëheqës kompasin kombëtar, e jo atë partiak e mbështeti Marrëveshjen e Prespës e cila e shkel monolizimin e “Maqedonisë” nga vendi fqinj. Maqedonia greke nuk ka pse të frikësohet. Përkundrazi, në duart tona është që të mbetet forcë primare në ekonomi, prodhim, në kulturë. Fqinjësia jonë e ndjeshme gjeopolitike ka nevojë për besim dhe bashkëpunim. Në mënyrë të vazhdueshme t’i përforcojmë ato punë që na bashkojnë, e jo ata të cilat na ndajnë. Kjo ishte dhe do të mbetet garanci e madhe e Ballkanit. Duhet ta marrim”, tha Teodorakis.
Detyrimi i ardhshëm për Greqinë është që ta ratifikojë protokollim për anëtarësim të Maqedonisë në NATO.(koha.mk)