Greqia alarmohet mbi refugjatët: BE planifikon anulimin e kuotave të shpërndarjes

Gjithashtu bëhet me dije se janë në proces mbi 15 mijë kërkesa të tjera azili, por me kushtet dhe personelin ekzistues ato do të vonohen. Kjo do të thotë se, numri i refugjatëve në ishujt grekë do të rritet edhe më shumë

23

Qeveria greke ndodhet në gjendje alarmi, pas konstatimit se problemi i refugjatëve dhe emigrantëve jo vetëm që rritet, por po bëhet i papërballueshëm. Kjo, për faktin se marrëveshja BE-Turqi, që parashikon kthimin e atyre që përpiqen të hyjnë nga brigjet turke, nuk zbatohet. Ndërkohë ka dështuar po ashtu edhe marrëveshja e shpërndarjes së refugjatëve që ndodhen në kampet greke drejt vendeve evropiane, në bazë të kuotave të përqindjes, pasi deri tani, sipas “Amnesty International”, vetëm 28.7% e tyre janë çuar drejt vendeve të BE-së. Gjithashtu bëhet me dije se janë në proces mbi 15 mijë kërkesa të tjera azili, por me kushtet dhe personelin ekzistues ato do të vonohen. Kjo do të thotë se, numri i refugjatëve në ishujt grekë do të rritet edhe më shumë, kur vetëm dy ditë më parë, ministri i Emigracionit paralajmëroi se ndoshta do të ketë edhe viktima mes refugjatëve nëse nuk merren masa emergjente nga Brukseli. Krahasuar me vitin e kaluar ka një ulje prej 79% të numrit të refugjatëve dhe emigrantëve që vijnë në Greqi, pasi tashmë ata kanë zgjedhur Spanjën si vend i parë mbërritjeje. Por përsëri Athina është shqetësuar, sidomos pas një artikulli në britaniken “The Guardian”, e cila zbulon se orët e ardhshme, presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk do të propozojë të anulohet marrëveshja e shpërndarjes së emigrantëve drejt vendeve të BE-së në bazë të kuotave të përqindjes, pasi kjo ka sjellë më shumë përçarje mes vendeve anëtare, e do të rishikohen planet për një marrëveshje të re. Ndërsa sipas “Deutsche Welle”-s dhe mediave të tjera gjermane, qeveria greke nuk mund të mbajë nën kontroll mbi 15.500 azilkërkues në proces në ishujt e vendit, e shumë prej tyre kanë lëvizur drejt Greqisë kontinentale në mënyrë ilegale, duke dashur që me të njëjtën mënyrë të largohen drejt vendeve të Evropës Qendrore.

Comments are closed.